Komuniteti Mysliman e Kryqi i Kuq fushatë për fëmijët talasemikë pranë xhamive
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe Kryqi i Kuq Shqiptar kanë bashkuar forcat në një fushatë të vazhdueshme dhurimi gjaku për të ndihmuar fëmijët talasemikë që varen nga transfuzionet e rregullta. Çdo javë, dhjetëra besimtarë i përgjigjen thirrjes për të dhuruar gjak, duke plotësuar një nevojë jetike për këtë grup pacientësh.
Në Shqipëri, qindra fëmijë të prekur nga talasemia varen çdo muaj nga nevoja jetike për gjak. Pa transfuzionet e rregullta, jeta e tyre rrezikohet, ndaj sigurimi i vazhdueshëm i njësive të gjakut mbetet një sfidë e madhe si për sistemin shëndetësor, ashtu edhe për familjet e tyre.
Për t’u ardhur në ndihmë pacientëve talasemikë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar, po zhvillon një fushatë të përhershme dhurimi gjaku në xhamitë dhe qytetet kryesore të vendit.
Përfaqësues të Komunitetit Mysliman theksojnë se dhurimi i gjakut nga besimtarët është jo vetëm një akt fetar, por mbi të gjitha një akt humanizmi dhe solidariteti për ata që kanë nevojë jetike për gjak çdo javë.
Sipas të dhënave, gjatë vitit të fundit besimtarët myslimanë kanë siguruar rreth 500 njësi gjaku, falë dhurimeve të rregullta të organizuara çdo javë në xhamitë e Tiranës dhe në qytete të tjera të vendit.
Çdo të premte, dhjetëra besimtarë i bashkohen thirrjes për të dhuruar gjak, duke ndihmuar në përmbushjen e një nevoje të madhe për këtë grup pacientësh, të cilët prej vitesh përballen me mungesa të vazhdueshme.

