Basha: Politika nuk njeh karrige të përjetshme, në 30 vite tranzicion kemi përfunduar në xhungël me kafshë

Lulzim Basha zhvilloi një takim me të rinjtë e FRPD në Tiranë ditën e sotme. Basha u shpreh se kjo është një kohë e dhimbshme për demokratët dhe shqiptarët sepse një grusht njerëzish nuk duan t’i japin fund tranzicionit.
Basha: Tranzicion do të thotë të kalosh nga një e kaluar diktatoriale drejt demokracisë, drejt lirisë, drejt hapjes, drejt dinjitetit të çdo njeriu ashtu siç e ka bërë Zoti. Drejt lirisë që me të vërtetë e garanton ligji siç tha Rei, por në fakt është një e drejtë natyrore me të cilën lindim, është e drejta jonë, na e ka dhënë zoti s’na e merr dot askush. E garanton ligji në mënyrë që liria ime mos të dëmtojë lirinë tënde. Këto janë përgjegjësisë e politikës, e cila përmes institucioneve të cilat ka përgjegjësinë t’i administrojë përmes votës së qytetarëve, duke përfaqësuar qytetarët, i bën këto ligje të funksionojnë, ose ndal funksionimin e ligjeve dhe e kthen vendin në xhungël. Dhe kështu kemi përfunduar në 30 vite, në një xhungël me disa kafshë më të barabarta se disa kafshë të tjera.
Basha u shpreh se kjo betejë po bëhet që të qarkullojnë elitat. Sipas tij, poltika nuk njeh karrige të përjetshme.
Basha: Pse bëhet e gjithë kjo betejë? Pse bëhet gjithë kjo luftë? Në mënyrë që të qarkullohen elitat, që karriget mos të jenë të përjetshme. Politika nuk njeh karrige të përjetshme, nuk njeh dinasti. Vet koncepti i politikës është ndryshimi. Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh. Të ndryshosh shpesh, do të thotë ta bësh perfekt ndryshimin. Vendet të cilat i hapin rrugë ndryshimit ecin përpara, vendet që e ndalojnë ndryshimin, që qarkullojnë të njëjtit njerëz, që bëjnë sikur ikin dhe vijnë prapë, janë vendet ku qytetarët nuk i gëzojnë këto liri. Aty jo vetëm që nuk ka dritë në fund të tunelit për fundin e tranzicionit, por ka kthim prapa.

