“Ballkan i Hapur”, Zaimi: Shqipëria po bën lojë, presioni po zhvendoset nga fajtori te viktima

“Procesi i ‘Berlinit’ është mjaftueshëm i gjerë sa nuk ka nevojë për shtesa apo projekte të paplanifikuara.”
Kështu është shprehur Arbër Zaimi nga Vetëvendosje, në një intervistë për RTV Ora, teksa ka komentuar nismën “Ballkan i Hapur”, ku pjesëmarrëse janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Më tej shton se Kosova e ka pasur dorën e shtrirë për Shqipërinë në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve që kanë nënshkruar të dy vendet bashkë.
"Edhe mediat në Shqipëri, para tre ditësh shpërndanë deklaratën e specialistit të Ministrisë së Jashtme, të ngarkuar me Evropën Juglindore, i cili foli në lidhje “Ballkanit të Hapur” dhe procesit të “Berlinit”. Edhe Kurti ka thënë që procesi i ‘Berlinit’ është mjaftueshëm i gjerë sa nuk ka nevojë për shtesa apo projekte të paplanifikuara. Qeveria gjermane , edhe zonja Merkel, por edhe BE përmes Lajçak, janë treguar të kujdessshëm të thonë se mbështesim bashkëpunimin mes vendeve por jo projektet konkurrente si “Ballkan i Hapur”. Mjafton të shohim se e ka përçarë Ballkanin Juglindor. Ka vendosur një pozitë antropoliste mes tre vendeve, siç është Bosnja, Mali i Zi por edhe Kosova.
Qeveritë e Kosovës, vazhdimisht e sidomos për Shqipërinë e kanë pasur dorën e shtrirë për bashkëpunim, madje dje Kurti ka këmbëngulur për zbatim të marrëveshjeve të lidhura mes Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat ne ende nuk e dimë a po zbatohen këto marrëveshje."
Më tej ai thotë se Serbia i ka vendosur 11 pengesa Kosovës, dhe sipas tij këto janë problemet që duhet të zgjidhn fillimisht. Ai thotë se presioni duhet të vendoset tek vendet që hapin pengesa dhe jo tek viktima.
“Sa i përket Serbisë, Merkel tha atë që thonë të gjithë zyrtarët e BE, por edhe amerikanë, tha se duhet të zgjidhen probleme të tjera përpara se të arrihet te njohja. Në këtë drejtim qeveria e Kosovës, përmes Kurtit i ka bërë me dije të gjitha vendeve për sa i përket pengesave jotarifore që Serbia ia bën mallrave, bizneseve të Kosovës. Serbia ka 11 pengesa që ia bën Kosovës, të cilat janë të evidentueshme dhe të dokumentuara.
Pra nëse po flasim për zgjidhjen e problemeve të tjera, janë pikërisht këto. Ne po i evidentojmë këto dhe po ia tregojmë BE, Gjermanisë dhe partnerëve të tjerë. Kjo është të vendosësh presionin tek ata që vërtetë pengojnë. Por në rastin e Shqipërisë, po ndodh një lojë që nuk më pëlqen fare, ku po zhvendoset presioni prej fajtorit, po shkon te viktima.
Kosova po kërkon njohje dhe kjo është legjitime. Kosova nuk pengon asnjë proces tjetër, është Serbia ajo që po pengon.”
Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.

