Balla: Të ndalohet Tik-Tok në institucionet zyrtare, Tabaku: Edukimi mediatik, jo kompetencë e AMA-s

Komisioni i Integrimit Europian mori sot në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën Shqipërisë””, të ndryshuar””.
Kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ngriti shqetësime dhe disa pyetje në lidhje me projektligjin që u prezantua sot në komision.
“Sot jemi përpjekur për të gjetur në direktivë termin e ‘edukimit mediatik’ dhe nuk arritëm të gjejmë asnjë gjë të ngjashme. Në direktivë është shkruar për ‘shkrimin mediatik’ që nuk është e ngjashme me atë që ju konsideroni si ‘edukim mediatik'”, iu drejtua ajo përfaqësues së AMA-s në komision.
Deputetet Jorida Tabaku dhe Flutura Açka shprehën shqetësimin në lidhje me këtë term të shtuar për një funksion që nuk ka asnjë arsye ta zbatojë AMA.
Ndërkohë, Tabaku ngriti dhe disa shqetësime që bazoheshin dhe në një kërkesë të Dhomës Amerikane të Tregtisë në lidhje me këtë projektligj.
“Kush janë platformat që mund të konsiderohen shpërndarës së videove që juve do të kontrolloni?”, pyeti Tabaku, ndërsa rreshtoi shqetësimet në lidhje me projektligjin dhe përafrimin e tij me dispozitat e Bashkimit Europian.
Nga ana e tij, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se ka një keqkuptim lidhur me rolin e AMA-s, pasi AMA nuk rregullon në kuptimin e drejtpërdrejtë, por miraton rregullore mbi të cilat platformat vetërregullohen.
“Kisha menduar se përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë do të kishin ardhur këtu si përfaqësues të platformave të mëdha që kanë nevojë të rregullohen. Flas për META-n, Twiteer, Netflix, Youtube. Shqipëria duhet të ndjekë modelet rregullatore të Rregullatorëve Europianë. Këtu shqetësimi dhe diskutimi më i gjatë janë disa vendime të rregullatorëve europianë edhe të këtij viti. Në fillim të këtij viti kompania META, zotëruese e Facebook dhe Instagram është gjobitur për çështje që edhe ne në Shqipëri mendoj se kemi të deficenca”, tha ai.
Duke folur për mbrojtjen e të dhënave personale, Balla kërkoi që të forcohen të gjitha barrierat dhe digat në mënyrë që të mbrohen të dhënat që shfrytëzohen nga këto platforma.
“Mes moshës 8-18 vjeç, çdo fëmijë harxhon 9 orë në ditë në këto platforma. Kjo duhet të na alarmojë dhe ndërgjegjësojë për nevojën e rregullimit dhe forcimit të çdo lloj barriere apo dige në mënyrë që video të palejuara të arrijnë në sytë e audiencës së kësaj moshe”, tha ai.
Po ashtu, Balla theksoi se bënë pjesë te ata politikbërës europianë që mendojnë se Tik-Tok është rrezik për sigurinë në hapësirën tonë euroatlantike.
“I bashkohem çdo kongresmeni apo senatori amerikan, por edhe vendimit të fundit të BE-së për të ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet zyrtare.
Balla tha se edhe Shqipëria duhet ta hedhë këtë hap në njehsimin e qëndrimit të saj të paktën në pajisjet e përdorimit zyrtar, sikurse e ka bërë edhe BE.
“SHBA ka shkuar një hap përtej në këtë qasje me dyshimet se pas aplikacionit Tik-Tok fshihet Partia Komuniste Kineze dhe të dhënat personale që qarkullojnë përmes këtij aplikacioni personal janë sot një rrezik eminent. Për këtë ka nevojë për një qasje të përbashkët në Kuvend”, tha ai.
Duke folur mbi lirinë e medieve, Balla theksoi se “sot vlerësimi mund të bëhet më thjesht duke matur kohën mediatike që marrin palët”.
“Shqipëria është ndër vendet e rralla në Ballkanin Perëndimor dhe jo vetëm ku kohë mediatike më shumë se opozita nuk merr maxhoranca dhe kjo është një gjë e mirë, vlerë pozitive e lirisë së mediave në Shqipëri”, tha ai.
Po ashtu, Balla dënoi edhe aktin terrorist të sulmit me armë kundër Top-Channel, duke rikërkuar nga institucionet ligjzbatuese të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zbardhur atë akt të rëndë./ ATA

