Avokati i Popullit konstaton shkelje në komisariatin e Policisë të Malësisë së Madhe

Avokati i Popullit konstaton shkelje në komisariatin e Policisë

Avokati i Popullit në mbështetje të angazhimit për të garantuar respekt të plotë të të drejtave të njeriut, gjatë ushtrimit të mandatit të tij si Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, ka patur një ndikim mjaft domethënës në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtarinë e organeve të rendit.

Në këtë kontekst, padyshim që roli i rëndësishëm i Avokati i Popullit thellohet edhe më tej, nga veprimet proaktive që organet përkatëse kanë ndërmarrë në zbatimin e masave korrigjuese, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve për të garantuar drejtësi dhe transparencë të organeve ligjzbatuese.

Duke gjykuar se rastet konkrete mund dhe duhet të shërbejnë si shembuj pozitivë për të gjitha institucionet dhe autoritetet, Avokati i Popullit sjell në vëmendjen publike se në mënyrë periodike ushtron inspektime në mjediset e privimit të lirisë, për të siguruar garantimin e respektimit të të drejtave të personave të shoqëruar nga organet e policisë.

Në njërin prej këtyre inspektimeve në tetor të vitit të kaluar, Avokati i Popullit ndërmori një hetim të thelluar në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe.

“Grupi i punës ka analizuar të gjitha aspektet e trajtimit të personave të shoqëruar, përfshirë ambientet e shoqërimit, zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore, regjistrat dhe dokumentacionin. Gjatë procesit të inspektimit, u evidentua se oficerët e policisë gjyqësore mbajnë të ekspozuara në zyrat e tyre sende, që mund të përçojnë ndjesi të dhunës psikologjike dhe fizike tek personat e shoqëruar, ndërkohë që veprimet procedurale me shtetasit, në mungesë të ambiente të veçanta të intervistimit, kryeshin në zyrat e punës së oficerëve të policisë gjyqësore, të cilat nuk ishin të monitoruara me kamera”, thuhet në njoftimin për shtyp të Avokatit të Popullit.

Gjithashtu, gjatë inspektimit Avokati i Popullit konstatoi se mungonte një magazinë e veçantë për administrimin dhe ruajtjen e provave materiale, e cila është e nevojshme për respektimin e procedurave standarde.

“Sendet e ruajtura në dhomat e oficerëve të policisë gjyqësore përbënin një shkelje serioze. Ndërkaq u vërejt se regjistri për evidentimin e të dhënave për personat e shoqëruar nuk ishte i tipit “Model nr. 1″, siç kërkohet nga procedurat standarde. Kjo gjë ka sjelle për pasojë një shkelje të rëndë të rregullave që ka cënuar respektimin e të drejtave të personave të shoqëruar”, vijon njoftimi.

Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit konstatuan po ashtu mungesën e një regjistri për të miturit në konflikt me ligjin, i cili nuk ishte plotësuar dhe evidentuar sipas rubrikave të nevojshme, si dhe mungesën e një regjistri për evidentimin e kërkesave dhe ankesave të personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar, siç parashikohej në ligjin për Policinë e Shtetit.

Gjatë inspektimit u zbulua se procesverbalet e shoqërimit ishin të paplotësuara dhe të panënshkruara nga oficeri i policisë gjyqësore që kishte kryer veprimet, duke cënuar rëndë procedurat e punës.

Në vijim të konstatimit të këtyre shkeljeve, Avokati i Popullit referoi një rekomandim drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për marrjen e masave përkatëse ndaj shkeljeve të evidentuara.

Referuar gjetjeve të këtij inspektimi, Avokati i Popullit ka propozuar një sërë masash korrigjuese dhe njëkohësisht fillimin e hetimit disiplinor për punonjësit përgjegjës të këtij komisariati për shkeljet përkatëse.

Avokati i Popullit u informua se në përgjigje të rekomandimit, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, nisi hetimi disiplinor për shkelje të rënda ndaj personave përgjegjës.

EMISIONET