Asfalti elektoral, Tirana "infekton" Korçën, Sotiraq Filo kujtohet për rrugët në prag të zgjedhjeve
Pak muaj nga nisja e fushatës për zgjedhjet lokale, bashkitë e vendit po orientojnë shpenzimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në territoret që administrojnë.
Edhe bashkia e Korçës ka hapur një tender të posaçëm për rrugët.
Sipas të dhënave zyrtare në Agjencinë e Prokurimeve Publike, kjo bashki do të harxhojë 108 milion lekë ose rreth 932 mijë euro për ndërhyrjen dhe përmirësimin e disa akseve rrugore.
Edhe pse po mbyll mandatin e tij të dytë në krye të Korçës, Sotiraq Filo, kujtohet pas 8 vitesh për të ndërhyrë në rrugët e amortizuara duke ndjekur modelin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe bashkia e Tiranës, e cila ka dhënë rreth 8 mln euro për shtrimin e rrugëve të dëmtuara.
Në dokumentet e tenderit thuhet se ndërhyrjet parashikohen në të gjitha njësitë administrative të Tiranës.
Siç ka ndodhur në çdo fushatë elektorale, edhe këtë herë është rritur në mënyrë të beftë numri i tenderave për shtrim rrugësh.

