ASD rritje e mbulimit të depozitave në 6 milionë lekë deri në vitin 2027

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD), Martin Blushi, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit raportin e veprimtarisë së institucionit për vitin 2024.
Blushi nënvizoi se aktualisht skema e sigurimit mbulon depozitat deri në 2,5 milionë lekë, çka përfshin rreth 95% të depozituesve në sistemin financiar shqiptar. Ndërsa informoi se, ASD po shqyrton rritjen e kufirit të mbulimit të depozitave në përputhje me standardet e BE-së, nën asistencën e Bankës Botërore.
Sipas tij, kufiri i ri do të rritet gradualisht në 6 milionë lekë në vitin 2027 dhe në 10 milionë lekë deri në vitin 2030, duke rritur mbulimin në 98% të depozituesve dhe duke forcuar sigurinë dhe besimin në sistemin bankar.
Blushi u ndal në disa prej të dhëna kryesore në raportin e ASD-së për vitin 2024:
“Totali i depozitave në sistemin bankar arriti në 1683 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 4,9%. Depozitat e sigurueshme arritën në 1590,2 miliardë lekë (94,5% e totalit).
Ndërkohë që depozitat e siguruara përbënin 54,7% të totalit dhe 57,9% të atyre të sigurueshme”, u shpreh Blushi.
Blushi informoi se, 92,9% e depozituesve mund të kompensohen plotësisht në rast nevoje.
Ndërsa detyrimi potencial i ASD për kompensim llogaritet në 921 miliardë lekë, për 1.986.871 depozitues.
Referuar sektorit të Shoqërive Kursim-Krediti (SHKK), ai tha se, totali i depozitave në SHKK arrin në 11,5 miliardë lekë me rritje 5,5% krahasuar me një vit më parë dhe depozitat e siguruara mbulojnë 70% të totalit, me 91% të depozituesve të mbuluar plotësisht.
Blushi tha se, fondet e sigurimit të depozitave, të administruara nga ASD, kanë njohur një rritje të qëndrueshme gjatë vitit.
Fondi i sigurimit të depozitave për bankat arriti vlerën kontabël prej 70,1 miliardë lekësh në fund të vitit, duke shënuar një rritje prej 10,3% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa të ardhurat nga primet e sigurimit u rritën me 5,4%. Raporti i mbulimit për këtë fond ishte 7,61%.
Gjithashtu, kontributi i bankave për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme për vitin 2024 ishte 982,1 milionë lekë, duke çuar vlerën e aktiveve neto të këtij fondi në 5,73 miliardë lekë në fund të vitit.
Sa i përket administrimit të mjeteve financiare, ASD ka investuar pjesën më të madhe të fondit të bankave në letra me vlerë të Qeverisë shqiptare dhe instrumente të tjera financiare me një shpërndarje që siguron stabilitet dhe likuiditet të lartë.
Blushi informoi se, në planin e zhvillimit institucional, ASD ka miratuar Planin Strategjik 2024–2026, i cili fokusohet në: forcimin e kapaciteteve operacionale e rregullative, përmirësimin e komunikimit me publikun dhe grupet e interesit dhe përshtatjen me legjislacionin e BE-së, në kuadër të integrimit evropian.
“Ky raport vjen në një moment kur forcimi i mbrojtjes së depozituesve dhe besueshmëria në sistemin bankar konsiderohen elementë kyç për stabilitetin financiar dhe integrimin e Shqipërisë në tregjet europiane”, u shpreh Blushi në fund të fjalës së tij.

