Arsimi në sitë/ Kushi "orë mësimi" me zyrtarët e Ministrisë: Të eliminojmë klasat kolektive
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ajo e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi po zhvillojnë një konferencë për bilancin e vitit 2022 dhe pritshmëritë e këtij viti.
Ministrja Kushi theksoi se po punohet për të rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe abetaren e përbashkët unike Shqipëri-Kosovë.
“25 shkolla dhe ambjente sportive rikonstruktuam gjatë vitit 2022. Kemi 79 godina arsimore e kopshte të rindërtuara. Kemi ndërhyrë gjatë vitit 2022 në të gjitha aspektet e cilësisë së shërbimeve arsimore. Kemi patur vëmendje të shtuar për nxënësit me aftësi ndryshe gjatë vitit 2022, kemi rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës që tashmë janë me profil të arsimit special. Në bashkëpunim me universitetet janë hapur programe të reja për mësues ndihmës, për nxënës me aftësi ndryshe. Nuk i përmbushim 100% nevojat, por shpresojmë që shumë shpejt mësuesit të jenë të gjithë të arsimuar me shërbim special. Qëllimi është edhe t’i kualifikojmë e trajnojmë që puna e tyre të jetë më cilësore. Kemi ndërhyrë edhe te punonjësit psiko social që të jetë shërbim i standartizuar. Kemi 880 punonjës psiko-social. Ka ndërgjegjësim të rritur nga nxëenësit dhe prindërit për cilësinë e këtij shërbimi. Jam krenare që këtë vit hapëm shkollën e mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë. Edhe abetarja e përbashkët unike është punë e bërë me shumë përkushtim”, tha Kushi.
Kushi u shpreh se një ndër çështjet që po përqendrohet ministria e Arsimit është transporti në mënyrë që të ketë më shumë ulje të numrit të klasave kolektive.
Ajo tha se transporti për fëmijët mbetet një sfidë, por po punohet për rumbursimin e biletës.
“Është sfida tonë. Kemi hapa pozitivë, por ka ende shumë punë, sepse jo në të gjitha zonat periferike mbulohet shërbimi i transportit që të ketë një mjet që ofron shërbimin. Ne i rimburojmë familjet dhe ata gjejnë zgjidhje alternative. Qëllimi të garantojmë trasportin për nxënësit. Qëllimi ynë është që nxënësit që mësojnë në klasa kolektive të transferohen në klasa më normale. Por nëse nuk ka mundësi transporti ata janë të detyruar të vazhdojnë në shkolla ku nuk kanë mundësi të mira. Ndaj ne po përqendrohemi te transporti. Shpesh herë edhe prindërit na thonë që i duam fëmijët afër por pa kushte shumë të mira, ndaj ne përpiqemi të punojmë me transportin etj. Sepse klasa kolektive ka edhe një sfidë tjetër që nuk u japin mësimin mësues të profilit."- tha Kushi.


