Arrestimi, vartësja e Erion Veliajt në Bashki mashtrime me mijëra euro për të siguruar projekte nga AZHBR

Arrestimi, vartësja e Erion Veliajt në Bashki mashtrime me mijëra
Viola Sterjo

Vartësja e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, Viola Sterjo, e cila mbante postin e drejtoreshës së Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, është arrestuar nga Policia e Korçës për veprën penale të “mashtrimit”, me pasoja të rënda.

Sterjo dyshohet se ka ngritur një skemë mashtrimi duke i marrë para qytetarëve me qëllim ndikimin e saj në institucionet e shtetit.

Personat që kanë qenë pre e mashtrimit të ish-drejtoreshës, janë persona të cilët duhet të përfitonin fonde të ndryshme monetare nga shteti.

Sterjo dyshohet se ka mashtruar 5 subjekte, duke u marrë shuma që variojnë nga 20 mijë euro deri në 90 mijë euro. Sipas burimeve, ajo u ka premtuar subjekteve se do të ndërhyjë për të fituar projekte nga AZHBR-ja (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural).

Subjektet kanë paguar lekët kundrejt projekteve që variojnë nga 1 milion deri 4 milionë Euro.

Më herët, Viola Sterjo ka qenë punonjëse edhe në Ministrinë e Turizmit.

Materialet në ngarkim të saj i kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, ndërsa policia e Korçës thekson se bëhet fjalë për hetimet e ngjarjeve të ndodhur gjatë periudhës mars-nëntor të vitit 2020.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë.

Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda.

Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti”, njoftoi këtë të mërkurë policia e Korçës.

EMISIONET