Arrestimi i Berishës, Balla: Pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar pas arrestimit në Spanjë të të shumëkërkuarit Lulzim Berisha.
Në reagimin e tij, Balla shprehet se sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, ndërsa thekson se “pandëshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet”
“Sundimi i ligjit vijon të godasë në Shqipëri e kudo, mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet. Përgëzoj Policinë e Shtetit, ekipin e Fast Tirana të cilët në bashkëpunim me Fast Madrid, të kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Lulzim Berisha në Alicante, Spanjë, një person i kërkuar nga drejtësia në Shqipëri”, shkruan Balla.
Luzim Berisha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në dhjetor 2022, nën akuzën se bashkë me anëtarë të tjerë të bandës së Durrësit janë përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame, i cili u vra në një shpërthim me bombë në Tiranë në ashensorin e pallatit ku banonte në shkurt të vitit 2005, bashkë me Artan Arsin.
SPAK njoftoi në atë kohë se hetimi për vrasjen e Lamajt dhe Arsit ishin pezulluar shumë vite më parë dhe ishin rihapur në vitin 2020. Në 2 dhjetor, gjykata ka vendosur masë sigurie arrest me burg për shtetasit Lulzim Berisha, Plarent Dervishaj, Indrit Taulla dhe L. Reçi, të akuzuar për vrasjen e Lamajt dhe Arsit.
Por Lulzim Berisha dhe Plarent Dervishaj nuk u vendosën në pranga pasi ishin arratisur nga vendi. Krahas Berishës dhe Dervishajt, nën akuzë për vrasjen e Lamajt e Arsit janë vënë edhe Emiljano Shullazi e të tjerë. Shullazi është aktualisht nën gjykim për akuza krimesh të tjera.
Pas arrestimit të bujshëm të 6 prillit 2006, Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.
Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate, vendim i cili u la në fuqi edhe nga Apeli.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 2014 rrëzoi dënimin maksimal dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.
Pasi i shpëtoi burgimit të përjetshëm, Lulzim Berisha i drejtoi Gjykatës së Durrësit një lumë kërkesash për ulje dënimi gjatë viteve 2015-2016.
Në tre vendime të veçanta, Berisha përfitoi uljen e më shumë se 2 viteve burg, ndërsa një vendim i katërt i amnistoi atij edhe 1 vit e 6 muaj burg për shkak të amnistisë së vitit 2012. Plarent Dervishi u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë.




