“Apeli” i Tiranës në kolaps, 20 mijë dosje me 6 gjyqtarë, duhen edhe 25 të tjerë
Gjykata e Apelit të Tiranës është tanimë në kolaps. Numri i dosjeve të pashqyrtuara në këtë institucion ka arritur në 18 800 të tilla, ndërsa janë vetëm 6 gjyqtarë nga 31 që duhet të jenë në organikë. Në këto kushte kur nga sistemi janë përjashtur dhjetëra gjyqtarë dhe emërimi i gjyqtarëve të rinj nuk po ecën siç duhet, dosjet pritet të shtohen.
Pas Gjykatës së Lartë ku stoku i dosjeve te pa gjykuara kaloi në 35 mijë, një tjetër gjykatë po vuan të njëjtat pasoja dhe është aktualisht në kolaps.
Gjykata e Apelit e Tiranës numëron deri tani mbi 18 mijë e 800 dosje, të cilat mund të kapin shumë shpejt shifrën e 20 mijëve, përsa kohë nuk po emërohen gjyqtarët e rinj.
Kancelarja e gjykatës së Apelit, Lertida Balili, thotë për Rtv Ora se aktualisht në këtë gjykatë janë vetëm 6 gjyqtarë nga 31 që përmban organika, të cilëve u bie mesatarisht të shqyrtojnë nga 3000 dosje secilit ndërsa në gjykatë funksionojnë vetëm dy trupa gjykues.
-
-
Plagosën me sende të forta një shtetas, dy të arrestuar në Durrës
26 Shtator, 13:05
"Një gjyqtar ka afërsisht mbi 3 mijë çështje për shqyrtim. Kuptohet që prioritet ka masat e sigurimit, çështjet penale me afat, arrestet në burg. Sa i përket çështjeve të tjera ato presin radhën e gjykimit.Pa ardhur gjyqtarët e rinj çështjet nuk mund të kenë një evadim ashtu siç e dëshirojmë ne."
Balili sqaron se në pritje te gjykimit janë proceset civile që nga viti 2016, pasi ato kanë qenë në dorë të gjyqtarëve që janë larguar nga vettingu dhe dosjet e tyre jane rishortuar nga gjyqtarët që janë aktualisht, të cilët e kanë te pamundur të caktojne një datë të afërt.
"Çdo ditë te zyra e informacionit qytetarët që paraqiten janë vetëm për datën e gjyqit, duan informacion vetëm kur është planifikuar çështja për shqyrtim.Kjo është diçka që e përcakton relatori, por për shkak të ngarkesës, mbi 3 mijë çështje, është shumë e vështirë tu shërbesh qytetarëve në kohë dhe në afate."
Duke mos mjaftuar ngarkesa e madhe, 6 gjyqtarët që i kanë shpëtuar vettingut në gjykatën e shkallës së dytë të kryeqytetit u duhet të shkojnë edhe në Apelet e rretheve që po vuajnë të njëjtat pasoja.
"Trupa gjykuese e Gjykatës së Apelit Tiranë gjykon dhe pranë gjykatave të Apelit në rrethe sipas delegimeve, një herë në javë."
Kompetencën për zëvendësimin e gjyqtarëve të munguar të gjykatës së Apelit e ka Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili kryen verifikimin dhe vlerësimin e kandidatëve.
Por derisa ky Këshill të plotësojë këto vakanca, qytetarët do të vijojnë të enden në dyert e gjykatës për të kerkuar një datë gjyqi.


