Anulohet një tender - Ushqimet në burgje, miliona euro për familjarët e Xhemal Qefalisë

Një tjetër skandal është zbuluar mbi shpërdorimin e fondeve publike. Sërish është institucioni që drejton burgjet shqiptare dhe sërish abuzimi lidhet me ushqimin e të burgosurve. Vlera e abuzimit është prej qindra mijëra eurosh, dhe për këtë abuzim ende nuk ka asnjë të hetuar nga prokuroria.
Aferat korruptive me tenderat publikë nuk kanë të mbaruar në institucionet shtetërore.
Në 20 dhjetor, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve urdhëron stafin që të anulojë një tender pa garë, me fond rreth 800 mijë euro, për blerjen e ushqimeve për të dënuarit.
Ky vendim, i cili erdhi vetëm tre ditë pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, duke ngritur dyshime akoma më të mëdha mbi largimin e pasqaruar të kreut të këtij institucioni.
Në 17 dhjetor, Këshilli i Ministrave vendosi të shkarkojë nga detyra Agim Ismailin.
Ismaili u emërua në krye të Burgjeve pas shkarkimit të Artur Zotos, i arrestuar dhe i akuzuar për tenderat e ushqimeve, së bashku me disa kompani private.
Në përfundim të atij procesi, Zoto u shpall i pafajshëm, ndërkohë që u dënuan pronarët kompanive të përfshira në skemën abuzive.
Të njëjtat kompani, të cilat kaluan në zotërim të familjarëve të personave të dënuar, vijuan të fitonin tenderat qindra-milionësh të ushqimeve për burgjet edhe gjatë mandatit të Agim Ismailit.
Për tenderat e ushqimeve ka pasur një mori akuzash publike ndaj procedurave të ndjekura nga Agim Ismaili.
Një prej kompanive përfituese të tenderëve gjigantë të Drejtorisë së Burgjeve është edhe ‘Dajti Park 2007’, në pronësi të familjarëve të deputetit socialist, Xhemal Qefalia, e cila vetëm në dy vitet e fundit ka përfituar rreth 2.3 miliardë lekë të vjetra./ Syri


