Ankesat ndaj drejtësisë, Manja kërkon reagim për denoncimet ndaj gjyqtarëve e prokurorëve

Ministri i Drejtësisë kërkon ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve që u miratua në vitin 2016 si pjesë e paketës së reformës në drejtësi. Drafti parashikon detyrimin e KLP-së dhe KLGJ-së që të mblidhen menjëherë për të vendosur pezullimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Shkak për ndryshimin e ligjit është bërë vonesa që dy këshillat kanë shfaqur në trajtimin e ankesave dhe denoncimeve ndaj zyrtarëve të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka propozuar ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të miratuar në vitin 2016 si pjesë e reformës në drejtësi.

Qëllimi sipas draftit është për të detyruar këshillin e prokurorisë dhe të gjyqësorit të mblidhen menjëherë nëse do të kërkohet masa e pezullimit për një nga përfaqësuesit e drejtësisë shqiptare.

Në relacionin e firmosur nga manja theksohet se nisma ka ardhur si pasojë e përgjigjeve të dhëna nga qytetarëve në këshillimin kombëtar.

Në atë kohë një ndër pyetjet ishte nëse duhen pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende procesin e Vettingut, nëse vendimmarrjet e tyre rezultojnë haptazi në kundërshtim me ligjin dhe më konkretisht pyetja nr. 10.

Në fakt ligji parashikon se KLGJ dhe KLP duhet të mblidhen jo më vonë se tre ditë nga paraqitja e dosjes prej inspektoratit të drejtësisë.

Por në arsyetim thuhet se pavarësisht se vitet e fundit janë ndryshime legjislative për të luftuar fenomenin e njohur si KÇK, një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në pritje të Vettingut vazhdojnë të abuzojnë.

Ndaj dhe koha prej tre ditë do të shkurtohet me menjëherë me shpresën e qeverisë se në këtë afat do të ndalen abuzimet

Deri më tani më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë kaluar në sitën e Vettingut.

Ndërsa mandati i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u shty edhe me dy vite me qëllim finalizimin e procesit të rivlerësimit.

EMISIONET