Andoni: Kosova dhe Shqipëria të lehtësojnë retorikën. Kufiri duhet të hiqet përgjithmonë. Oligarkët të lidhur me qeveritë

Në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, u nënshkrua marrëveshja që në verë fundjavave dhe ditëve të festave lëvizja në kufi të jetë e lirë, pra pa kontrolle në doganë.

Analisti Ben Andoni, në një intervistë për Ora News, është shprehur se kryeministri Edi Rama bëri një hap të mirë, ndërsa shtoi se kishte një mosbesim nga ana e Kosovës.

Andoni shtoi se grupet e interesit kanë shumë pushtet në të dy vendet tona.

Ben Andoni: Burokracia e dy qeverive tona është konfuze. E para përsa i përket hapit shumë të nxituar të kryeministrave respektivë për ta shfrytëzuar për politikën e tyre dhe e dyta për të treguar një realitet që nuk qëndron ndërmjet vendeve tona. Ajo që Rama pretendon për të hequr të gjithë tarifat doganore me Koosvën është një hap i mirë, por përgjigja e Kosovës, tregon se mosbesimi dhe grupet e interesit në të dy vendet kanë shumë pushtet mbi qeveritë tona. Një gjë e mirë sot ka qenë që të dyja qeveritë kanë vendosur që të zvogëlojnë procedurat e kalimit të kosovarëve në Shqipëri.

Më tej teksa komentuar gjuhën e liderëve, Andoni u shpreh: Mendoj se lidershipi i Kosovës duhet të jetë i kujdesshëm që të  fitojë sa më shumë, ndërkohë që Rama duhet të jetë i kujdesshëm me retorikën e vet në lidhje me Ballkanin e Hapur.

Sipas tij duke qenë se në Ballkan ka një sërë problemesh, Kosova dhe Shqipëria duhet të lehtësojnë retorikën dhe të përfitojnë sa më shumë për qytetarë e thjeshtë.

Ben Andoni: Problemet janë të koklavituara dhe për këtë Kosova dhe Shqipëria duhet ta lehtësojnë retorikën dhe të përfitojnë sa më shumë për qytetarët e thjeshtë. Këta të fundit duan të mos kenë më tarifa doganore, duan të kenë treg me Kosovën.

Qeveria e Kosovës, duhet të tregojë një lloj mirëkuptimi për ato barriera doganore. Shqipëria kërkon t’i heqë, ndërsa Kosova kërkon kohë.

Andoni theksoi se lëvizja e lirë nga Kosova drejt Shqipërisë dhe anasjelltas, duhet të jetë 365 ditë të vitit dhe jo vetëm për 3 ose 4 muaj.

Ben Andoni: Mendoj se të paktën Kosova me Shqipërinë duhet ta kenë për 365 ditë heqjen e kufijve jo vetëm për 3-4 muaj. Por mesa shikoj oligarkët në vendet tona janë jashtëzakonisht të fortë dhe të lidhura me qeverinë.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.

EMISIONET