Skema e grabitjes së bregdetit, kreu i Hipotekës vidhte tokën e shtetit me AMTP të gatshme, 5 mln euro në dy vite
5 milionë euro duket se ka shkuar skema e grabitjes së tokës në bregdetin e Vlorës. Aktet e marrjes së tokës në përdorim vuloseshin e firmoseshin në letër të bardhë, e më pas plotësoheshin me emrin për 300 mijë euro. Në pranga ish- kreu i Kadastrës si dhe drejtori i Administrimit të Tokës.
Skema e tjetërsimit të pronave në bregdetin e Himarës dhe Dhërmiut, gjatë viteve 2019-2021, e zbuluar nga Prokuroria e Vlorës ishte e bazuar në dokumente zyrtare.
Ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Klodian Troci, besohet se qëndron në krye të veprimtarisë që ka funksionuar mes zyrtarëve të Kadastrës dhe drejtorisë së Administrimit të Tokës.
Troci ka drejtuar dy herë zyrën e Kadastrës në Vlorë për mbi një vit deri në shtator të vitit 2019 si i komanduar dhe sëfundmi rreth 1 vit pas dorëheqjes së Jurgen Pilkapit.
Në një fazë të ndërmjetme ka punuar edhe në Zyrat e Administrimit të tokës pranë Këshillit të Qarkut.
Gjatë kësaj kohe ai ka marrë Akte të Marrjes së Tokës në Përdorim të vulosura dhe të firmosur, por të paplotësuara, sikurse edhe të dhënat për toka shtet në bregdet.
Më pas në mënyrë abuzive, Troci plotësonte AMTP dhe i dërgonte në Qarkun Vlorë ku firmosej dhe certifikoheshin nga Bardhyl Gjikaj që më tej ndryshimin në regjistrin nr 6.
Duke formalizuar certifikimin, prona i jepej kundrejt 300 mijë eurove një personi të besuar, dhe duke vazhduar me shitjen apo tjetërsimin final blerësve të tjerë sipas vlerës reale të tregut.
Me këtë skemë mësohet se janë kryer disa tjetërsime me vlerë deri në 5 milion euro.
Ora News mëson se vjedhja e pronave u zbulua nga prokuroria e Vlorës pas një hetimi të nisur kryesisht për një pronë shtet.
Mbi bazë dokumentesh, prokuroria e Vlorës kishte marrë urdhërarrest dhe mandat kontrolli në banesën e ish-drejtorit të Kadastrës në Vlorë.
Por ky i fundit duket se ka mësuar për aksionin dhe u largua drejt kryeqytetit ku u vu në pranga.
Në banesën e tij, policia gjeti 50 AMTP të firmosura dhe 65 mijë euro.
Ndërsa në banesën e ish-drejtori të Administrimit të Tokës në Vlorë Bardhyl Gjikaj u gjetën edhe 60 dokumente të tjera.
Të dielën për të njëjtën çështje Gjykata e Vlorës la në burg ish-zyrtarin e tokave dhe 51-vjeçarin Spiro Duni, i dyshuar se ka përfituar në abuzim një truall në Dhërmi.
Ndërsa një specialist i Zyrës së Administrimit të Tokës në Vlorë do të hetohet në gjendje të lirë.
Tre të fundit dyshohen se janë autorët e vjedhjes me thyerje të zyrave të administrimit të tokës në Vlorë.