Alarmi nga gripi i shpendëve, AKU: Produktet dhe nënproduktet e mishit, të kontrolluara

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dalë me një deklaratë për mediat lidhur me situatën e rkijuar në vend nga gripi i shpendëve.
Në deklaratë thuhet se që prej shfaqjes së rasteve të gripit të shpendëve në vende të ndryshme të Europës, prej disa javësh, AKU ka qenë në gatshmëri dhe kontrolle të vazhdueshme të produkteve në tregjet shqiptare.
Në njoftimin për shtyp Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se ka marrë të gjitha masat, si në terren ashtu edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, në bazë të Planit të Kontigjenceës, të miratuar nga Ministri, për monitorim dhe kontroll të situatës në përmbushje të sigurisë ushqimore dhe garantimin e shëndetit të konsumatorit.
Më tej AKU shton se drejtoresha e Përgjithshme e AKU-së, Jeta Deda është në terren me inspektorët.
“Prej 5 javësh monitirohet në mënyrë të vazhdueshme dhe raportohet lidhur me gjetjet nëpër tregje, dyqane mishi për gjurmueshmërinë, dokumentacionin e rregullt, certifikatat veterinare.Me marrjen e informacionit nga AKVMB, AKU është në terren për të monitoruar masat e marra nga shërbimi veterinar duke garantuar konsumatorin për produktet e nxjerra në treg dhe sigurinë ushqimore”.
Deri tani sipas AKU nuk është evidetuar asnjë rast problematik, si në dokumentacion ashtu edhe në etiketim të produktit, si dhe kushtet e ruajtjes.
AKU siguron konsumatorët se ushqimet me origjinë shpendore në treg janë brenda stadardeve të gjurmueshmërise dhe janë të verifikuara nga inspektorët, të cilët janë në terren.
AKU fton konsumatorët të drejtohen në pikat e certifikuara të shitjes së mishit.

