Dyshohet se ngacmoi seksualisht vajzën e tij të mitur, lihet në burg 61-vjeçari korçar
Jani Kallanxhi, 61-vjeçari nga Korça i arrestuar me akuzën e ngacmimit seksual të vajzës së tij të mitur do të qëndrojë në burg deri në fund të hetimit.
Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për babain e dyshuar si abuzues, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë.
61-vjeçari ka mohuar akuzat para Gjykatës, duke mbajtur të njëjtin qëndrim të shprehur edhe gjatë marrjes në pyetje në polici.
Ai është shprehur se nuk e ka ngacmuar vajzën e mitur.
“Unë jam kujdesur për vajzën time pasi bashkëshorten e kam të sëmurë", mësohet të jetë shprehur ai në seancë.
Jani Kallanxhi u arrestua të premten, 1 prill pas denoncimit në Prokurori nga një punonjëse e shërbimit Social e cila në një bisedë me vajzën kishte ngritur dyshime se e mitura ishte viktimë e ngacmimit seksual.
Për të vërtetuar dyshimet, me lejen e organit të akuzës, në apartamentin e familjes Kallanxhi u vendos kamera që sipas burimeve ka provuar dyshimet se 61-vjeçari prekte të bijën në pjesën intime.
Babai i dyshuar për abuzim u vu në pranga ndërsa e mitura është dërguar në një qendër sociale në Tiranë.
Burime brenda grupit hetimor thanë se është kërkuar që vajzës t’i bëhet ekspertiza mjeko-ligjore për të parë nëse me të janë kryer marrëdhënie seksuale më herët.
Çështja ndërkohë i ka kaluar sektorit të të miturve në Gjykatën e Korçës.

