Pa shkollë në ditën e arsimit, të rinjtë protestë para MAS: Çfarë na duhet teknologjia kur s'kemi ngrohje?

Dita ndërkombëtare e arsimit i ka gjetur mbyllur shkollat në të gjithë vendin por edhe me protesta përpara ministrisë.

Me ngrohëse në duar të rinj dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë sjellë disa shembuj të shkollave që kanë probleme me ngrohjen. 

Ata kërkojnë sqarim nga ky institucion se ku kanë përfunduar fondet për ngrohjen dhe infrastrukturën. 

Për ta është absurde që nga një anë flitet për zhvillim të teknologjisë dhe nga ana tjetër mbyllen shkollat për shkak të temperaturave të ulëta. 

"Ligji qytetarëve u jep ngrohje por nuk ua jep Ministria. Jemi këtu për ti sjellë kësaj ministre që nuk menaxhon dot ngrohjen disa ngrohësa modeste" tha Migen Qiraxhi.

"Është situatë dramatike ku nxënësit e shkollave në vend që të ishin duke ndjekur procesin e mësimit janë në shtëpitë e tyre. I ftohti u ka bllokuar aksesin dhe qasjen ën shkollë. Çfarë na duhet digjitalizimi dhe integrimi në BE ku në shkolla mungon gjëja më primare për nxënësit, ngrohja. Shkolla në 2022 janë pa ngrohje.Në shkollat e rretheve nxënësit marrin dru për zjarrin në klasa. Shkoni në Norvegji ku gjysma e vitit është më temperatura nën minus. Nuk e anulojnë mësimin.Nuk është zgjidhja mbyllja e shkollave."

Në kohën që poshtë zyrës së minisitres Evis Kushi protestohej, ajo ka uruar nxënësit dhe mësuesit për ditën e arsimit. 

Si një përgjigje ndaj kritikave, në mesazhin e saj theksohet se vendimi nuk është marr për shkak të mungesës së ngrohjes në klasa, por për kushtet e vështira të rrugës që të çon deri në shkollë. 

Duke ju referuar Kombeve të Bashkuara, Ministrja pranon se pandemia ka shkaktuar probleme me arsimin.

Reagon Ministrja

Ministrja Kushi duke uruar dhe Ditën Ndërkombëtare të Arsimit thotë se mbyllja e shkollave u diktua nga kushtet atmosferike, duke nënvizuar se për Ministrinë së pari vjen siguria dhe shëndeti i nxënësve.

Kushi: Të dashur miq, siç thotë Aristoteli, Arsimi është stoli në kohë të mira,  dhe strehë në kohë të vështira.

Edhe pse do të doja që urimi im sot për Ditën Ndërkombëtare të Arsimit t'i gjente nxënësit dhe mësuesit në shkolla, kushtet atmosferike na detyruan të ndërpresim për pak ditë procesin mësimor, në të mirë të shëndetit dhe sigurisë së tyre.

Sepse ne kujdesemi jo vetëm për sigurinë e tyre brenda mureve të shkollës, por edhe për rreziqet që vijnë nga ngricat, dëbora apo të ftohtët gjatë rrugës deri shkollë.

Kombet e Bashkuara konfirmuan përsëri para pak ditësh se pandemia e Covid-19, që nga momenti kur u shfaq për herë të parë, e ka futur në kaos arsimin në të gjithë botën, duke ndikuar rreth 1.6 miliardë nxënës e studentë. Ndërkohë që teknologjia dhe shumë fusha të tjera të jetës vazhdimisht po pësojnë transformime rrënjësore.

E për t'u përshtatur më mirë me kohën, pa dyshim që arsimi bashkëkohor është një domosdoshmëri. Prandaj OKB këtë vit si temë për arsimin ka zgjedhur "Ndryshimi i Drejtimit, Transformimi i Arsimit" (Changing Course, Transforming Education).

Synimi ynë është që t’u sigurojmë nxënësve dhe mësuesve tanë jo vetëm kushte sa më të mira, por edhe metodat më bashkëkohore të mësimdhënies, përshtatur me nevojat që kërkon sot koha dhe tregu.

Ky transformim i arsimit përkon edhe me vizionin tonë mjaft sfidues për Shqipërinë e vitit 2030, për një arsim sa më cilësor në shkolla dhe universitete, në përputhje me nevojat e reja të shekullit 21.

Le të jemi më ambiciozë dhe të punojmë së bashku që në Shqipërinë e vitit 2030, pse jo, nxënësit shqiptarë ta kenë arsimin e detyruar edhe në shkollën e mesme, deri në moshën 18 vjeçare. Ky do të ishte investimi më i mirë për të ardhmen e tyre dhe zhvillimin e Shqipërisë tonë të dashur.

Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Arsimit!

EMISIONET