Aksidenti në Himarë/ Makina doli nga rruga me 20 ushtarë, po ktheheshin nga një operacion për shuarjen e zjarrit
Zbardhen detaje të reja nga aksidentimi i mjetit të ushtrisë në Himarë pasditen e sotme, 24 gusht 2022.
Ora News mëson se në momentin e aksidentit në mjet udhëtonin 20 ushtarë, të cilët po ktheheshin nga një operacion për shuarjen e zjarrit në zonë.
Aksidenti u regjistrua në orën 16:30 në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, në afërsi të Vunoit.
Shtetasi P. N., 64 vjeç, duke drejtuar automjetin e ushtrisë tip "Iveko", dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti është përplasur me bordurën anësore të rrugës.
Shkak dyshohet se ka qenë lagështia në rrugë.
Nga aksidenti mbetën të plagosur 64-vjeçari, së bashku me 2 prej ushtarakëve që udhëtonin në këtë mjet, shtetasit G. H., 23 vjeç dhe J. Ll., 32 vjeç, ndodhen në spitalin e Himarës, jashtë rrezikut për jetën.
Lëndime nga aksidenti ka marrë dhe një ushtar i tretë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.


