Aksidenti i mori jetën 17-vjeçarit, qindra qytetarë të Vlorës marshojnë në rrugët e qytetit

Siç u lajmërua në rrjetet sociale, ashtu edhe ndodhi. Me qindra qytetarë të Vlorës, kanë marshuar në rrugët e qytetit, në kujtim të Leandro Shametajt, djalit 17-vjeçar që humbi jetën tragjikisht në aksidentin e ndodhur tre ditë më parë.

Nxënës të gjimnazit ku mësonte Leandro, gjimnazit "Ali Demi" dhe qindra qytetarë të Vlorës marshojnë në heshtje për çdo jetë të humbur nga papërgjegjshmëria në timon në rrugët e Vlorës. 

Ata kanë marshuar për jetën duke simbolizuar, kërkuar, më tepër siguri dhe kujdes në rrugët e qytetit.

Marshimit i është bashkuar dhe prefektja e qarkut Evis Allushi. Të gjithë kanë marshuar në heshtje, duke filluar nga Xhamia e Plumbit në qendër të Vlorës, deri në afërsi të vendit ku ndodhi aksidenti. 

Ndërkohë, ngjarja që tronditi qytetin ndodhi rreth orës 00:15 të natës, kur vetura tip “Porsche”, me shpejtësi të lartë dhe me shofer në gjendje të dehur, përplasi motomjetin me të cilin lëvizte Leandro Shametaj në bulevardin “Ismail Qemali”. Adoleshenti po kthehej nga puna si kamarier dhe ishte vetëm 17 vjeç.

Shoferi, i identifikuar si 32‑vjeçari H. B., është arrestuar për veprat “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Sipas burimeve, automjeti ishte në gjendje të dehur dhe ka bërë manovra me shpejtësi jashtë normave të lejuara në rrugë urbane.

Familjarë të të ndjerit kanë bërë apel për ndëshkim të rreptë të përgjegjësve dhe për ndërmarrjen e masave për pakësimin e shpejtësisë në zonat urbane, si dhe përforcimin e patrullimeve policore në orët e vona të natës.

Ky tubim sensibilizues në Vlorë shërben si një thirrje për reflektim të përbashkët mbi sigurinë rrugore, përgjegjshmërinë sociale dhe respektin ndaj jetës, në kujtim të një djali që humbi rrugëtimin për të ardhmen.

EMISIONET