Aksidentet brenda qytetit/ Ekspertët propozojnë të zgjatet praktika në autoshkolla
Një 33 vjeçar humbi jetën si pasojë e humbjes së drejtimit të mjetit Alfa Romeo në rrugën "Sulejman Delvina" në kryeqytet.
Aksidenti ndodhi në orën 1:30 pas mesnate në një kohë kur rrugët ishin bosh dhe jashtë orarit të orës policore.
I riu Rezi Karreci nuk arriti t'i mbijetojë plagëve ndërkohë që edhe mjeti me të cilin udhëtonte, ka marrë dëmtime të rënda
Aksidentet rrugore brenda qytetit, në shumë raste të pazakonta për mënyrën si ndodhin, janë kthyer në një problem shqetësues.
Eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini mendon se infrastruktura rrugore dhe mungesa e vëmendjes nga drejtuesit e mjeteve është një nga shkaqet e këtyre ngjarjeve.
"Kryesisht këto aksidente kanë ardhur për shkak të rritjes së numrit të fluksit të lëvizjeve në akset kryesore, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve, gjithashtu dhe për shkelje të mos përdorimit të legjislacionit rrugor të përdoruesve të tjerë të rrugës siç janë këmbësorët dhe mjetet e tjera," tha ai.
Po ashtu eksperti analizoj edhe aksidenti që la pas 2 viktima në Lushnjë si dhe ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë në zonën e "Vasil Shantos", ku Flutura Zaimi si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit la të lënduar 2 3 persona
"Ura nuk ka mbrojtëse anësore metalike të cilat mbrojnë drejtuesit e mjeteve në qoftë se humbin kontrollin dhe pasoja do jetë më e vogël sesa pasojat që ishin me humbje të jetës. Kemi një humbje të kontrollit klasike të drejtueses së mjetit e cila humbet kontrollin për shkak të shpërqendrimit ose përdorim të pijeve alkoolike," tha Qibini.
Eksperti sugjeron që duhet të ketë një afat më të zgjatur të praktikave ne autoshkolla pasi sipas tij shumë aksidenteve vijnë si pasojë e mos njohjes se rregullave të qarkullimit në qendrat e banuara.
"Koha e marrjes së lejes së drejtimit në qoftë se është 15 ditë teori dhe 25 ditë është praktikë duhet të rritet për shkak se kemi shumë drejtues automjetesh të cilët nuk janë të aftë për të drejtuar mjetet të cilat kanë në dispozicion. Gjithashtu dhe policia rrugore duke parë rritje të numrit të aksidenteve kohët e fundit duhet të ketë një prezencë më të shtuar me qëllim që në qendrat e banuara duhet të ushtrojnë kontroll," tha eksperti.
Nga data 1 deri në 18 maj në vend janë regjistruar 76 aksidente rrugore, ku për pasojë kanë humbur jetën 6 persona, ndërkohë që të plagosur kanë mbetur 90 persona. Krahasuar me një vit më parë për të njëjtën periudhë janë regjistruar 106 aksidente me 6 te vrare 11 te plagosur rëndë si dhe 122 te plagosur lehtë.

