Dy viktima në aksidente, përplasen makinat në Tiranë-Durrës, zetori bie nga ura në Korçë
Dy persona humbën jetën si pasojë e dy aksidenteve. Në autostradën Tiranë-Durrës, një grua mbeti viktimë e përplasjes së dy mjeteve, ndërsa në Korçë, një burrë humbi jetën jetën pasi zetori me të cilin udhëtonte ra nga ura.
Një 60-vjeçare humbi jetën si pasojë e përplasjes së dy makinave në autostradën Tiranë-Durrës rreth orës 13:10 minuta.
Sherife Çeka, sipas policisë udhëtonte si pasagjerë në një prej makinave të përfshira në aksident.
Ajo nuk ka arritur ti mbijetojë plagëve të marra nga përplasja e fortë.
Dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident janë shoqëruar deri në sqarimin e shkaqeve.
Një aksident me vdekje u shënua edhe në Korçë. 55-vjecari, Bajram Trëndafili, humbi jetën pasi ky zetor që po drejtonte ra nga ura dhe e zuri poshtë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Ngjarja u shënua në rrugën Qatrom-Polenë, pranë vendit të quajtur "Ura e Polenës".
Policia thotë se është ngitur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Shpejtësia dhe shkelja e rregullave të qarkullimit konsiderohen shkaqet kryesore të aksidenteve në rrugët e vendit.

