A do i pezulloni kontratat e incineratorëve? Rama nxehet me gazetarët: Jo! Deri kur do bëni rolin e prokurorit?
Alqi Bllako, ish-deputet i PS-së, u arrestua me urdhër të SPAK lidhur me çështjen e incineratorit të Fierit. Ai akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Kryeministri Rama u pyet nga gazetarët a ka ardhur koha të rishikojë këto kontrata, por ai u përgjigj prerë "Jo sepse është në kundërshtim me ligjin".
A mendoni se ka ardhur koha që të rishikoni këto kontrata koncensionare apo të pezulloni këto kontrata që keni dhënë për incineratorët?
Rama: Cilat?! Është një fjalë që unë e kujtoj shumë shpesh, ma ka mësuar gjyshja. Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore. Kjo pyetje përsëritet e përsëritet, ndërkohë që përgjigjja është shumë e thjeshtë. Shteti, qeveria nuk vepron si gazetë, as nuk vepron dot në bazë të reagimit individual, se si individ jashtë kësaj barrës së kësaj zyrë unë mendoj si ju. Ligjërisht kjo nuk bëhet dot. Kemi të bëjmë me një proces që vazhdon. Nuk kemi të bëjmë me një veprim të formës së prerë dhe nëse ne e bëjmë këtë, që si reagim e përsëris i menjëhershëm në nivelin individual e dhe unë e kam si ju, ne shkelim ligjin.
Sa herë duhet ta përsërisim këtë? Deri kur do vazhdojë që gazetarët të bëjnë propagandë kur bëjnë pyetje. Deri kur do vazhdojë që gazetarët të bëjnë prokurorin kur marrin mikrofonin? Nuk mundet qeveria të ndërpresë kontrata për procese që nuk kanë përfunduar. S'mundet ta bëjë këtë gjë, është e ndaluar me ligj. Prandaj nuk ka lidhje as me sekuestrot, as me kërkimet, as me arrestimet. Kontrata është kontratë dhe është aty deri kur ka një arsye ligjore të sanksionuar nga një pushtet i pavarur.

