“6 marsi”, Noka: Basha zbatues i komandave të Ramës, reflektimi i kolegëve është për t’u përshëndetur
Deputeti i PD Flamur Noka, ka komentuar zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, ku PS mori 5 bashki, “Shtëpia e Lirisë” mori Shkodrën, ndërsa PD asnjë.
Në një intervistë për Ora News, Noka tha se 6 marsi vërtetoi atë që kanë thënë se Basha ka mision shkatërrimin dhe asgjësimin e PD.
Për Nokën Basha është thjesht zbatues i komandave që jep Edi Rama, ndërsa e konsideron si peng të tij.
Flamur Noka: PD ka zhvilluar një Kuvend më datë 11 dhjetor dhe është vërtetuar se kush është PD. Edhe 6 marsi vërtetoi këtë gjë. 6 marsi fatkeqësisht ishte evidentim publik i pasojave dhe efekteve shkatërruese së veprimtarisë së pengut që nga 25 prill e më pas. Vërtetoi atë që kemi thënë. Sot në PD pengu ka një mision asgjësimin e saj, shkatërrimin e saj me qëllim që të përjetësoj regjimin e Ramës. Ai thjesht zbatoi urdhrat dhe komandat. Katandisi vulën, siglën e PD në thërrime.
Noka ka përshëndetur reflektimin e deputetëve për reagimin ndaj Lulzim Bashës.
Flamur Noka: Përshëndes të gjithë kolegët që reflektuan duke mos pranuar që PD për orekset e pengut të rri peng dhe të asgjësohet. Reflektimi i kolegëve është për t’u përshëndetur. E di se brenda grupit parlamentar nuk mund të pranojnë të sillen si skllevër.

