50 mln lekë garanci pasurore, Apeli liron nga burgu kapitenin rus Smaznov, i solli naftën Piro Bares

50 mln lekë garanci pasurore, Apeli liron nga burgu kapitenin rus Smaznov,

Është liruar nga burgu, kapiteni rus i anijes libiane e ngarkuar me 22 mijë ton e 500 litra naftë, e cila kishte si destinacion final kompaninë “A.V Internacional Group”, që zotërohet nga biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare.

Vendimi për lirimin e Aleksei Smaznov, me detyrë kapitën, është marrë pak kohë më parë nga gjykata e Apelit Tiranë, ku gjyqtari i çështjes Genti Shala, ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “garanci pasurore” prej 50 milion lekë.

Vënia e garancisë pasurore, ka sjellë lirimin e kapitenit i cili është transportuar nga ambientet e burgut të Durrësit, drejt anijes cisternë të ankoruar në det.

Anija, sasia e naftës prej 22 mijë ton e 500 litra naftë si dhe një pjesë e ekuipazhit të saj, janë bllokuar në det, nga prokuroria e Durrësit, e cila po kryen hetime për kontrabandimin e mallrave dhe hidrokarbureve.

Hetimet për këtë rast të dyshimtë për kontrabandën e naftës, janë duke u ndjekur nga prokuroria e Durrësit, e cila ka dërguar letërporosi në disa shtete për të mësuar origjinën e sasisë së naftës, dhe dokumentacionin doganor të saj.

Policia zbuloi në muajin shkurt 2023 se kompania që ka porositur ardhjen e anijes me naftë drejt portit të Durrësit, quhet, “A.V Internacional Group”, e cila zotërohet nga biznesmeni i hidrokarbureve Piro Bare dhe administrohet nga shtetasja, Orledia Bare.

Nisur nga këto rrethana, policia e Durrësit ka shkuar në ambientet e kompanisë “A.V Internacional Group”, duke marrë kontakte me biznesmenin Piro Bare.

Bare ka dëshmuar se kompania ku ai ka bërë porosinë, quhet “Ses Dmç Group”, me të cilën ka shkëmbyer disa e-maile.

Por teksa anija ka hyrë në ujërat e detit Adriatik, Piro Bare, ka paraqitur dokumentacion në doganën e Portit të Durrësit, për ta shkarkuar këtë ngarkesë në depozitat e tij në “Porto Romano”.

Për shkak të problemeve në dokumentacion, Piro Bare, nuk ka mundur të “çajë” në doganën e Durrësit me qëllim futjen e naftës në Shqipëri. Dhe për pasojë ka vendosur të tërhiqet nga blerja e kësaj sasie, duke braktisur procedurat në Doganën e Durrësit.

EMISIONET