5 ditë pa ujë, banorët në Vlorë i kanë vajtur me bidona te dera, kryebashkiakja e sheh “zgjidhjen” te botet: Nuk është momenti për përgjegjësi

Teksa prej 5 ditësh qyteti i Vlorës nuk furnizohet me ujë, kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, e sheh zgjidhjen tek botet e ujit.

Ndërkohë, në kulmin e protestës së qytetarëve, Mersini u shpreh se “nuk është momenti”, pasi sipas saj kjo është një fatkeqësi që e ka goditur Vlorën.

Mesa duket, justifikimi me “fatkeqësi natyrore” është kthyer në një formulë të zakonshme për drejtuesit vendorë, njësoj si në të kaluarën, kur përmbytjet dhe problematikat e tjera justifikoheshin me të njëjtën gjuhë, edhe pse rrjeti i kanalizimeve dhe infrastruktura e qytetit ishin në gjendje të mjerueshme.

Zgjatja e riparimit të defektit në tubacionin kryesor ka ngritur pikëpyetje serioze mbi gjendjen e infrastrukturës së ujësjellësit dhe kapacitetet reale të institucioneve përgjegjëse për përballimin e emergjencave.

Në një kohë kur qeveria synon integrimin në Bashkimin Europian, qytetarët e Vlorës vijojnë të përballen me mungesën e një shërbimi bazik si uji i pijshëm.

“Mendoj që nuk është momenti të ndajmë përgjegjësitë. Ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë, por është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi. Lajmi i mirë është se sot testimi ka rezultuar pozitiv në provën e fundit dhe një pjesë e qyteti, pra ajo e Lungomares me një presion minimal për të mos rritur niveli ne riskut derisa të bëjmë zgjidhjen përfundimtare.

Pompa në këtë testim gradual do të fillojnë të furnizojnë pjesë të veçanta të qytetit. Por theksoj se në qytet operojnë prej 3 ditësh mbi 15 bote uji, por i kemi dhënë prioritet institucioneve. Protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës. Nuk është momenti që të bëjnë opozitë me një fatkeqësi natyrore. Kjo është një analizë që i takon ndërmarrjes së ujësjellësit. Lajmi i mirë është që pjesa është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit”, tha Brunilda Mersini.

EMISIONET