35 vjetori i marrëdhënieve diplomatike me Kanadanë, Rota: Shqipëria ka kontribuar në stabilitetin rajonal

Ballkani i Hapur ka marrë vlerësim edhe nga kryeparlamentari kanadez, Anthony Rota, i cili nga foltorja e Kuvendit shqiptar e vlerësoi Shqipërinë si një faktor stabiliteti në rajon. Gjithashtu ai u ndal edhe te vendosmëria e Ukrainës ndaj agresorëve rus.

Kryetari i Dhomave të Kanadasë, z. Anthony Rota ka qenë i pranishëm sot në seancën parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Vizita e tij erdhi në kuadër të 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Rota theksoi se Shqipëria ka përforcuar marrëdhëniet me fqinjët dhe se ka ndihmuar në stabilizimin e rajonit.

"Vendet vendosën marrëdhëniet diplomatike më 1987. Gjatë viteve pamë zhvillime qoftë mes vendeve tona por edhe në nivel ndërkombëtar. Sa i përket sigurisëvendi juaj ndihmoi në stabilizmin e rajonit pas konflikteve të 1990 dhe në 2009 Shqipëria iu bashkua Kanadasë dhe vende të tjera në NATO.

Shqipëria ka punuar fort për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët përmes mekanizmave si "Ballkani i Hapur".Më erdhi mirë kur mësova se në korrik shqipëria çeli zyrtarisht negociatat me BE-në. Kanadaja i ka mbështetur dhe i mbështet aspiratat tuaja në BE. Presim një bashkëpunim më të ngushtë gjatë mandatit 2022-2023," tha ai.

Gjithashtu ai u ndal edhe te vendosmëria e Ukrainës ndaj agresorëve rus.

"Lufta dhe agresioni rus kundër Ukrainës po cënon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Shtetet që mendojnë njësoj duhet të punojnë bashkë në mbrojtje të vlerave të përbashkëta. Si parlamentarë  besoj se edhe ju ndjeni tronditjen por edhe admirimin teksa shohim kolegët tanë ukrainas parlamentarë nga Verkhovna  Rada që sapo mbarojnë seancat si ligjvënës nxitojnë për të rrokur armët në mbrojtje të atdheut".

Gjatë vizitës së tij në Shqipëri, kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota, zhvilloi gjithashtu një takim me presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

35 vjetori i marrëdhënieve diplomatike me Kanadanë, Rota:
Anthony Rota sot në Parlamentin Shqiptar

EMISIONET