300-1000 euro për person për të kaluar kufirin, arrestohet në Korçë shoferi 28-vjeçar me 25 veta në furgon
Drejtoria Venddore e Policisë Korçë bën me dije se ka finalizuar operacionin e koduar "Midnight 11", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Si rrjedhojë është vënë në pranga 28-vjeçari që transportonte me furgon, kundrejt pagesës 300-1000 euro për person, 25 shtetas të huaj që do të kalonin ilegalisht kufirin.
Në cilësinë e provave materiale policia ka sekuestruar furgonin, një aparat celular dhe një shumë parash.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Midnight 11". Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi:
-S. Z., 28 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas që do të transportonte kundrejt pagesës, shtetas të huaj, me qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor "Qafë Plloçë-Qukës", pranë fshatit Golik, Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit të dyshuar. Shtetasi S. Z., sapo ka konstatuar se ishte në ndjekje nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi me automjet, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por menjëherë është kapur dhe neutralizuar. Gjatë kontrollit në automjetin furgon tip "Benz", u gjetën 25 emigrantë të paligjshëm.
Nga tërësia e veprimeve hetimore dhe provat e siguruara, rezultoi se 28-vjeçari do t'i transportonte emigrantët, kundrejt pagesës 300-1000 euro secili, me qëllim që të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë së Korçës.