16 mijë studentë të rinj, Xhelaj: Pritet që numri të shkojë sa vitin e shkuar

Në 650 programe studimi në fakultetet e vendit janë regjistruar 16 mijë studentë nga 21 mijë që e dhanë provimin. Kreu i rrjetit akademik shqiptar, Arjan Xhelaj shprehet se edhe këtë vit numri I maturantëve që do të ulen tashmë në auditore do të shkojë përafërsisht sa viti i shkuar

"Rreth 3 mijë që nuk u regjistruan në raundin e parë, plus 1800 të rinj nga vjeshta, janë diku tek 5 mijë ndaj presim të shkojmë 21 mijë si vjet", tha Xhelaj.

Fakulteti i mjekësisë duket se nuk ka lëvizje të vijës së fundit të fituesve, ku me sa duket ata që e kanë zgjedhur kanë qenë të bindur. Madje edhe kontrata për ngrirjen e diplomës nuk kishte ndikim.

"Mjekësia mbretëron, rreth 400 kuotat u plotësuan që në 5 ditët e para", tha Xhelaj.

Xhelaj gjithashtu pohoi rrezikun e mbylljes së disa degëve.

"Do ketë patjetër degë të tilla se janë shtuar rreth 100 opsione të reja ndërkohë që maturantët janë thuajse të njëjtë në numër", tha Xhelaj. 

Në total në të gjithë vendin janë 32 mijë kuota të cilat në çdo rrethanë nuk do të mund të plotësohen.

Raundi i dytë i regjistrimeve në universitete nis më 15 shtator, ndërsa regjistrimet kryhen nga 22 shtatori deri më 1 tetor.

EMISIONET