Krimi në familje, Muça: Këmbanë alarmi, në Shqipëri gruaja shikohet si pronë
Pedagogia Arjana Muça, ka folur për krimin në familje si dhe ka komentuar ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku bashkëshorti vrau gruan si dhe plagosi avokatin dhe një kalimtar.
E ftuar në edicionin e lajmeve të RTV ORA, Muça, thotë se krimi që ndodhi ditën e djeshme duhet të jetë këmbanë alarmi për institucionet shtetërore, pasi ngjarja e djeshme mund të ndikojë te shumë gra dhe vajza që përballen me një situatë të tillë.
"Është krimi i radhës, ajo që është për të ardhur keq është se edhe pse ligji funksionon kemi përsëri krime të tilla dhe pikërisht përpara institucioneve të drejtësisë.
Kjo duhet të jetë një këmbanë alarmi për të zgjuar të gjithë institucionet shtetërore, për të kuptuar më së miri se ky model sjellje që bëhet pa problem do të reklamohet tek një familje tjetër. Për një vajzë apo të një nënë që ka dashur ta bëjë publike, dhunën që i ushtrohet por tashmë nuk e bën më. Dhuna nuk është vetëm fizike por edhe në aspekte të tjera, dhe një grua e ka shumë të vështirë ta shfaq atë që përjeton. Ende në Shqipëri, bashkëshortja shikohet në formën e një prone, nuk mund të ndahesh , pra nuk mund të bësh asnjë miratim pa pyetur bashkëshortin.
Muça thekson, se një nga faktorët që rriti agresivitetin në shoqërinë tonë ishte dhe pandemia e Covid-19. Ajo thotë se gjatë kësaj periudhe u rrit dhe dhuna në familje, duke qenë se ra niveli ekonomik dhe papunësia.
“Patjetër që ka ndikuar, pandemia ishte një periudhë e gjatë kohore, një pjesë e madhe kanë humbur vendet e punës, janë reduktuar të ardhurat dhe këto probleme kanë dalë më shumë në pah, dhe si pasojë kamë lindur konflikte. Ishte një periudhë e gjatë kohore, dhe konflikti u bë më i dukshëm. Por janë shumë faktorë që kanë ndikuar, humbja e vendeve të punës, rënia e nivelit të jetesës, në shumicën e rasteve gratë e dhunuara janë edhe shtëpiake, pandemia tregoi më së miri dhe pjesën e agresivitetit që ne kemi si shoqëri."
Ajo shprehet se pandemia ka ndikuar edhe tek fëmijët, pasi sipas saj ata ndryshuan dhe mënyrën e sjelljes gjatë kohës që ishim në izolim.
“Po patjetër ne jemi individë që duam patjetër kontakt me të tjerët, të shprehemi emocionalisht, dhe gjithë ngarkesën emocionale nuk arrin ta tregosh, ne mezi prisnim që të liroheshin këto masa, e sidomos fëmijët, ata ndryshojnë në mënyrën e tyre të sjelljes dhe reagojnë në mënyrë agresive kur e shohin se nuk janë të lirë. Individi nuk duhet mbyllur në vetvete."



