Pasojat e motit të keq/ Balluku: Ja situata në qarqet e vendit

RAPORT MBI SITUATËN E KRIJUAR NGA MOTI I KEQ DHE MASAT E MARRA NGA STRUKTURAT E MIE

(Ora 21:00)

Gjatë gjithë ditës së martë, reshjet intensive të shiut kanë vijuar në të gjithë territorin e vendit, duke krijuar situata të vështiruara në disa zona.

Strukturat në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë qenë në terren që prej mbrëmjes së djeshme dhe kanë ndërhyrë për menaxhimin e problematikave të evidentuara.

Puna vijon pa ndërprerje edhe në orët e mbrëmjes, ndërsa grupet e ARRSH, OSSH dhe AKUK janë të angazhuara maksimalisht në terren.

SITUATA NË AKSET RRUGORE

Rajoni Verior

• Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore, pa problematika.

• Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe fuqi punëtore.

• Temperaturat janë në vlera pozitive.

Rajoni Jugor

• Qarkullimi i mjeteve vijon pa probleme dhe situata paraqitet e qëndrueshme.

• Temperaturat janë në vlera pozitive.

• Në segmentin rrugor Krane – Syri i Kaltër, pranë liqenit të HEC Bistrica 3, ka dalje të ujit në rrugë. Kompania e mirëmbajtjes, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ndodhet në terren për menaxhimin e situatës.

• Në Qarkun Korçë, të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme dhe pa problematika.

FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE

Rrjeti shpërndarës

• Aktualisht janë 21 fidera jashtë pune, kryesisht në zonat veriore.

• Rreth 85% e avarive janë në zona rurale, ku më shumë se gjysma ndodhen në territore të thella malore.

• Dy linja 35 kV paraqesin probleme, duke ndërprerë furnizimin me energji për disa nënstacione në Malësinë e Madhe (Koplik, Bajzë, etj.) dhe në zonën e Nënshkodrës (Velipojë, Trush, etj.).

Rrjeti i transmetimit

Janë regjistruar stakime të përkohshme të disa linjave, të shkaktuara nga moti me shkarkime atmosferike:

• L110kV Fierzë – F. Arrëz dhe L110kV Kukës – Lapaj: Për 5 minuta pa tension në disa nënstacione (F. Arrëz, Lajthizë, Kalimash, Tunel, Kukës) dhe disa HEC-e. Linjat janë rikthyer në punë.

• L110kV Korçë – Ersekë dhe L110kV Përmet – Lengaricë: Pa tension për 5 minuta në n/st Ersekë, Leskovik dhe HEC Lengaricë. Funksionimi është normalizuar.

• L220kV Fierzë – HEC Peshqesh: Stakim i momentit, është rikthyer menjëherë në linjë pa sjellë kufizime në furnizim.

• Aktualisht nuk ka defekte apo avari aktive në elementet e sistemit të transmetimit. Brigadat janë në gatishmëri të plotë.

SITUATA NË KASKADËN E DRINIT

• Reshjet vijojnë me intensitet të lartë (4–20 mm/orë) në të gjithë stacionet e basenit të lumit Drin.

• Në pellgun ujëmbledhës të Koman–Vau i Dejës janë regjistruar rreth 180 mm reshje.

• Reshjet pritet të vazhdojnë me këtë ritëm edhe 4–6 orët në vijim.

• Prurjet në kaskadë janë rritur dhe do të vijojnë të rriten deri pas mesnatës.

FURNIZIMI ME UJË TË PIJSHËM

• Furnizimi me ujë është optimal, me të gjitha sistemet në operim normal dhe me kapacitet të plotë.

• Impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura dhe kanalizimet funksionojnë normalisht, përfshirë stacionet shtytëse dhe impiantet përkatëse.

• Grupet e gatishmërisë po operojnë me 3 turne në të gjithë vendin dhe janë të pranishme në të gjitha veprat me rëndësi të sektorit.

SITUATA NË PORTET DHE AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS

Porti i Durrësit

• Situata paraqitet e qëndrueshme.

• Infrastruktura civile, portuale, energjetike dhe hidrike janë në funksion të plotë.

• Shërbimet e emergjencës dhe sigurisë janë në gatishmëri.

• Të gjitha terminalet operojnë normalisht.

• Në Terminalin e Pasagjerëve, imbarkimi në tragetet RIGEL V dhe GNV CRISTAL vijon normalisht.

Porti i Sarandës

• Situata është e qetë dhe pa problematika.

Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”

• Për shkak të kushteve të vështira meteorologjike, disa avionë janë vendosur në “hold” në pritje të përmirësimit të motit.

• Deri tani kanë devijuar drejt Brindisit dy fluturime të “Ryanair” nga Roma dhe Pisa.

Strukturat në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po vijojnë punën me kapacitete të plota në të gjitha sektorët e infrastrukturës, energjisë, ujësjellësit dhe transportit. Pavarësisht reshjeve intensive dhe problematikave të regjistruara, situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe po menaxhohet në mënyrë aktive për të garantuar funksionimin e sigurt të shërbimeve jetike.

EMISIONET