Roboti humb kokën në ring, por vazhdon luftën/ Pamjet spektakolare bëhen virale(FOTO)

Një moment i pazakontë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale gjatë turneut të parë në botë të luftimeve me robotë humanoidë, të zhvilluar në Shenzhen të Kinës.
Gjatë konkursit Ultimate Robot Knock-out Legend (URKL), një prej robotëve garues pësoi një dëmtim të rëndë, pasi humbi kokën gjatë përballjes, por vazhdoi të luftonte sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Në një video që po shpërndahet gjerësisht online, roboti shihet duke vazhduar sulmet me grushte dhe shqelma, ndërsa koka e tij qëndronte e varur lirshëm pas dëmtimit.

Përballja u zhvillua mes dy robotëve humanoidë të kompanisë EngineAI, modelit T800, me emrat White Eagle dhe Matador. Pavarësisht dëmtimit spektakolar të kundërshtarit, White Eagle arriti fitoren dhe më pas festoi me lëvizje kërcimi dhe poza triumfi në ring.
Roboti T800, i prezantuar nga EngineAI vitin e kaluar, ka marrë emrin nga personazhi i famshëm i filmit "Terminator". Kompania e ka zhvilluar atë për të kryer lëvizje të avancuara të frymëzuara nga artet marciale, përfshirë kombinime grushtesh dhe goditje me këmbë.

Turneu në Shenzhen shihet si një hap i ri në zhvillimin e robotikës humanoide, ndërsa pamjet nga gara kanë nxitur reagime të shumta për aftësitë dhe qëndrueshmërinë e këtyre makinerive.


