“PËRKTHYES” për kafshët e shpendët! Inteligjenca Artificiale mund të bëjë realitet komunikimin
Shkencëtarët prej vitesh përpiqen të deshifrojnë gjuhën e kafshëve, një sfidë e madhe që tani po merr hov falë inteligjencës artificiale. Kjo teknologji mund ta bëjë realitet ëndrrën për komunikim të drejtpërdrejtë mes njerëzve dhe kafshëve.

Prej kohësh shkencëtarët përpiqen të kuptojnë mënyrat e komunikimit të kafshëve – nga mjaullimat e maceve e lehjet e qenve, deri te këngët komplekse të balenave.
Tashmë, kjo ëndërr duket më afër realitetit, pasi inteligjenca artificiale po hyn fuqishëm edhe në këtë fushë.
Gjiganti teknologjik kinez Baidu ka dorëzuar një patentë për një sistem të veçantë që synon të “përkthejë” gjuhën e kafshëve në fraza të kuptueshme për njerëzit.
Sipas dokumentit, i publikuar në maj 2025 nga autoritetet kineze të pronësisë intelektuale, pajisja do të mbledhë të dhëna të shumta – tinguj, sjellje, lëvizje trupore dhe madje shenja fiziologjike si rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja.

Të gjitha këto do të analizohen nga algoritmet e inteligjencës artificiale, të cilat do të identifikojnë gjendjen emocionale të kafshës dhe do ta përkthejnë në gjuhë njerëzore.
Baidu e sheh këtë projekt si një hap drejt krijimit të një lidhjeje emocionale më të thellë mes njerëzve dhe kafshëve. Megjithatë, kompania pranon se teknologjia është ende në fazë kërkimi dhe mund të duhen disa vite përpara se të shndërrohet në një produkt të përdorshëm.
Në skenarët më optimistë, kjo mund të ndodhë brenda tre vitesh; në rastet më komplekse, procesi mund të zgjasë deri në pesë vjet.
Nisma e Baidu-së është pjesë e një tendence globale. Projekte si CETI, që studion komunikimin e balenave kaspërmatike, apo Earth Species Project, i mbështetur nga sipërmarrës si Reid Hoffman, po përdorin gjithashtu inteligjencën artificiale për të deshifruar gjuhët e kafshëve të ndryshme.
Reagimet në rrjetet sociale kineze kanë qenë të përziera: disa përdorues shprehen të entuziazmuar nga ideja për të “biseduar” me kafshët e tyre, ndërsa të tjerë mbeten skeptikë për funksionimin praktik të sistemit.
Nëse kjo teknologji do të ketë sukses, ajo mund të shënojë një moment historik: për herë të parë në histori, njerëzit do të mund të kuptojnë drejtpërdrejt çfarë përpiqen të thonë kafshët, shoqërueset e tyre të përhershme prej mijëra vitesh.


