Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka udhëtuar sot drejt Shkodrës ku është takuar me banorët e prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit.

Kryemadhit i është bashkuar edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila ka thënë se dëmet janë të konsiderueshme dhe se është shumë i rëndësishëm sigurimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale.

Sakaq kryetarja e LSI i ka propozuar Ademit bashkëpunim, teksa shton se kostoja e dëmeve është zero në buxhetin e shtetit në krahasim me fitimet që merren nga shitja e energjisë së hidrocentralit.

Pjesë nga diskutimi.

Kryemadhi: Si mund t’i ndihmojmë banorët Voltanë?

Ademi: Është shumë e rëndësishme që ta menaxhojmë, sepse liqeni i Shkodrës sot është 7 cm më shumë se sa ishte dje. Duhet ta kontrollojmë në njëfarë mënyrë, sepse liqenin nuk mund ta shkarkojmë në rast se prurja e Drinit është shumë e madhe. Nga ana tjetër dëmet janë të konsiderueshme. Sot kemi rreth 1900 hektarë tokë bujqësore të kultivuar të dëmtuar. Kemi bimë që janë dëmtuar që nëse do të zgjaste 3-4 ditë mund të rikuperohen, por mesa vëmë re ne territor, edhe po të ndalojmë shkarkimet sot mund të zgjasë 1 muaj për tu tharë territori. E ka bërë dëmin dhe është shkatërruar.

Nëse shteti prodhon energji nga ky lum, duhet të bëhet e mundur që në rastet kur ka shkarkime të sigurohen produktet bujqësore të territorit.

Kryemadhi: Ndonjëherë futemi në logjikën se kush është i formalizuar. Ishim te shtëpia e zonjës. Asaj kavaleta e barit i kishte hyrë uji komplet, me çfarë do ta ushqejë lopë? Sipas teorisë së Ramës i bie që ne do të formalizojmë lopën. Duhet t’i dalim zot. Gjithë ky hidrocentral që sjell të ardhura, se ne nuk i lëmë njerëzit të dalin nga dera e shtëpisë po nuk paguan energjinë elektrike, por kjo që thua ti mund të realizohet.

Ademi: Duhet sigurim i produkteve të fermerëve dhe blegtorëve në sektorët e veta.

Kryemadhi: Ndoshta Voltanë duhet të organizohemi të gjithë për këtë gjë. Sepse kostoja është zero, me aq fitim sa ke nga kjo kaskadë. Krahasuar me aq sa ke për detyrë për t’i dalë për zot banorëve.