Ashtu siç kishte parlajmëruar, kryeministri Edi Rama pasi nuk arriti të merrte konsensusin e plotë të opozitës parlamentare për të votuar në Kuvend marrëveshjen e 5 qershorit, ka siguruar numrat e mjaftueshme për të votuar atë.

Pasditen e 21 korrikut 2020, marrëveshjes së 5 qershorit ju shtua një marrëveshje e dytë e 21 korrikut mes PS dhe opozitës parlamentare, përmes të cilës ka marrë konsensus të pjesshëm për votimin e ndryshimeve në kodin zgjedhor dhe konsensusin e plotë për ndryshimet kushtetuese.

Votën kundër 5 qershorit e deklaroi Myslim Murrizi si Grup Demokrat dhe Ralf Gjoni.

Dy kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare Edmond Stojku dhe Nimet Musai  thanë se janë dakordësuar me të gjitha pikat e marrëveshjes politike me PS, duke thënë se më 23 korrik do arrihen 84 votat e nevojshme për 5 qershorin, ndërsa më 30 korrik do të votojnë listat e hapura duke e cilësuar një sukses plotësimin e kërkesës së tyre.

Pas takimit, Rama i bëri thirrje Bashës që të mos bëjë gabimet e së shkuarës por të vazhdojnë punën  së bashku pasi ka shumë mundësi që të bien dakord për shumë çështje dhe pse jo për të gjitha.

Rama: Përfitoj nga rasti ti bëj një apel Lulzim Bashës, PD dhe pastaj të gjithë aleatëve të tyre që të mos bëjnë gabimet e të shkuarës duke refuzuar tryezat dhe komunikimet dhe të vazhdojmë menjëherë punën sëbashku. Nuk jemi të detyruar të biem dakord për të gjitha, por kemi shumë mundësi të biem dakord për shumëçka.

PS ka bërë të gjithë lëshimet e veta të mundshme, nuk ka kërkuar çka do të mund të kërkonte në rast se do të donte të përfitonte. Por i ka qëndruar një procesi ku vullneti ynë ka qenë që PD si realitet politik të jetë e përfshirë por nga ana tjetër PD nuk mund të imponojë mosekzistencën imagjinare të një parlamenti.Jemi në rrugë shumë të mbarë, kush vazhdon në këtë rrugë ecën mbarë për vete dhe për njerëzit.Pastaj secili bën zgjedhjet e veta.

Fill pas firmosjes së marrëveshjes, Damian Gjiknuri, kërkoi mbledhjen e Këshillit Politik ditën e nesërme (22 korrik)

Gjiknuri: Propozoj mbledhjen e Këshillit Politik ditën e nesermë ora 17:00 në ambientet e Pallatit të Kongreseve me rend ditë diskutimin mbi propozimet për ndryshime në Kushtetutë sa i takon sanksionimit të hapjes së listave. Nga ana e Partisë Socialiste, përveç meje, si përfaqësues në tryezë do të marrë pjesë edhe Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. 

Gjatë paradites Komisioni i Ligjeve miratoi pa asnjë ndryshim amendimet në Kodin Elektoral sipas marrëveshjes së arritur nga Këshilli Politik në datën 5 Qershor, ku deputetët e opozitës votuan kundër.