Zyrtare/ Marco Verratti transferohet te Al-Duhail në Katar

Ish-mesfushori i Paris Saint-Germain, Marco Verratti, ka bërë një tjetër lëvizje brenda futbollit katarian, duke u bashkuar me klubin Al-Duhail pas një sezoni me Al-Arabi.
Italiani 32-vjeçar u largua nga PSG në vitin 2023, duke ndjekur gjurmët e ‘yjeve’ si Lionel Messi, Neymar dhe Sergio Ramos, dhe iu bashkua Al-Arabit për një shumë rreth 39 milionë paundësh.
Ai kishte ende kontratë me klubin francez deri në vitin 2026, por zgjodhi të mbyllte aventurën pas një dekade të suksesshme në Parc des Princes.
Gjatë sezonit të kaluar me Al-Arabin, Verratti zhvilloi 40 ndeshje, duke shënuar 4 gola dhe asistuar në 12 raste, por ekipi pati një sezon të dobët duke e mbyllur në vendin e nëntë nga 12 skuadra në kampionat, si dhe në vendin e fundit në grupin B të Ligës së Kampionëve të Gjirit.
Tani Verratti kalon te Al-Duhail, ish-ekip i drejtuar nga Christophe Galtier, trajneri i tij te PSG në sezonin e fundit, i cili tashmë është transferuar në Arabinë Saudite për të drejtuar NEOM SC.
Al-Duhail e përfundoi sezonin e kaluar vetëm dy pikë larg kampionëve Al-Sadd dhe po ndërton një skuadër ambicioze me përforcime nga Evropa.
Në verën e kaluar, klubi afroi edhe Luis Alberton nga Lazio dhe Benjamin Bourigeaud nga Rennes.
Marco Verratti u bashkua me PSG-në në vitin 2012 nga Pescara dhe zhvilloi 416 ndeshje me klubin francez, duke fituar 9 tituj të Ligue 1, 6 Kupa të Francës, 6 Kupa të Ligës dhe 9 Superkupa franceze, duke u kthyer në një ikonë të epokës së Katar Sports Investments.

