Zyrtare/ Frenkie de Jong rinovon me Barcelonën deri në vitin 2029

Zyrtare/ Frenkie de Jong rinovon me Barcelonën deri në vitin 2029

Mesfushori holandez, Frenkie de Jong, ka nënshkruar një kontratë të re me Barcelonën, e cila do të zgjasë deri në vitin 2029, njoftuan kampionët e Spanjës të mërkurën.

28-vjeçari, pjesë e kombëtares holandeze, iu bashkua Barcelonës në vitin 2019 nga Ajax-i dhe aktualisht po zhvillon sezonin e tij të shtatë me klubin katalanas.

Gjatë kësaj kohe, ai ka fituar dy tituj të La Ligës dhe dy herë Kupën e Mbretit.

“Barcelona është e bindur se mesfushori mund të jetë një pjesë vendimtare e projektit aktual sportiv falë cilësisë dhe përvojës së tij,” thuhej në deklaratën zyrtare të klubit.

De Jong, i cili në disa periudha ka pasur vështirësi me formën, sezonin e kaluar u bë një nga shtyllat kryesore të mesfushës nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, duke formuar një dyshe solide me Pedrin.

“I kam ëndërruar gjithmonë ngjyrat e Barçës, dhe tani që po jetoj ëndrrën që kam pasur që fëmijë, dua ta vazhdoj këtë ëndërr për shumë vite të tjera.

Jam i etur të fitoj tituj me këtë klub,” deklaroi De Jong në konferencën për shtyp.

Mesfushori holandez, që erdhi në kohën e ish-presidentit Josep Maria Bartomeu, është ndër lojtarët më të paguar të klubit.

Mediet spanjolle raportojnë se në marrëveshjen e re, që hyn në fuqi nga sezoni 2026/27, ai ka pranuar një ulje page.

De Jong theksoi se shumë raportime mediatike për pagën e tij kanë qenë të ekzagjeruara, duke ndikuar në mënyrën si e kanë perceptuar tifozët.

“Nuk do t’ju them sa fitoj, por mendoj se shifrat që janë shkruar më parë kanë qenë shumë të ekzagjeruara.

Kjo ka ndikuar në mënyrën si më shohin disa njerëz, sepse kur lexojnë se Frenkie është ndër lojtarët më të paguar në Europë, normalisht krijohet një përshtypje e gabuar,” shpjegoi ai.

Në vitin 2022, Barcelona u përpoq ta shiste mesfushorin për arsye financiare, por De Jong refuzoi të largohej, duke mbetur besnik ndaj klubit për të cilin ka zhvilluar tashmë mbi 250 ndeshje.

“Nuk ndihem i nënvlerësuar nga shokët e skuadrës, trajnerët apo klubi.

Kjo është më shumë diçka që vjen nga mediet,” shtoi ai.

“Kjo është bukuria e futbollit, secili mund të ketë mendimin e vet.”

EMISIONET