Xhudo/ Distria Krasniqi shkëlqen në Zagreb, siguron medaljen e artë për Kosovën

Xhudistja e jashtëzakonshme kosovare, Distria Krasniqi, ka fituar medaljen e artë në Grand Prix-in që po zhvillohet në Zagreb të Kroacisë, duke i siguruar Kosovës suksesin e parë të këtij niveli në këtë vend.
Në finalen e kategorisë deri në 52 kilogramë, Krasniqi triumfoi ndaj hungarezes Reka Pupp me një Ippon të mrekullueshëm.
Ky është i pari sukses i artë për Kosovën në Kroaci, ndërsa numri i medaljeve mund të rritet falë paraqitjeve të mira të Flaka Loxhës.
Rrugëtimi i Distria Krasniqit drejt arit
E renditur ndër xhudistet më të mira në botë në kategorinë deri në 52 kg, Krasniqi e nisi garën sipas pritshmërive, duke kaluar raundin e parë pa luftë.
Në raundin e dytë, ajo fitoi me Ippon ndaj brazilianes Amanda Lima, ndërsa në çerekfinale vazhdoi me të njëjtin ritëm duke mposhtur francezen Pont Blandine.
Në gjysmëfinale, Krasniqi regjistroi një tjetër Ippon, këtë herë ndaj italianes Gaia Stella, duke siguruar të paktën medaljen e argjendtë për Kosovën.
Por kampionia olimpike nuk u mjaftua me kaq. E vendosur të mos linte asnjë hapësirë për surpriza, ajo shënoi edhe një Ippon tjetër spektakolar në finale, duke e rrëzuar hungarezen Pupp dhe duke i dhënë Kosovës medaljen e artë.
Distria Krasniqi vazhdon të dëshmojë pse konsiderohet një nga sportistet më të suksesshme që ka prodhuar ndonjëherë Kosova, ndërsa triumfi në Zagreb është një tjetër kapitull i artë në karrierën e saj.

