Xhudistet nga Kosova vazhdojnë të shkëlqejnë në garat ndërkombëtare

Xhudistet nga Kosova vazhdojnë të shkëlqejnë në garat

Xhudistet kosovare vazhdojnë të shkëlqejnë në arenën ndërkombëtare. Në garën Evropean Open Sarajeva 2025, Flaka Loxha arriti të fitojë medaljen e bronztë, ndërsa Fatjona Kasapi u rendit në vendin e pestë.

Flaka e nisi garën me fitore të pastër me Ippon ndaj turkes Aysenur Karadag, por në çerekfinale u mposht nga britanikja Chelsie Giles. Në repasazh, ajo triumfoi ndaj Lanina Solley (Britani e Madhe), për të siguruar duelin për medaljen e bronztë. Në përballjen vendimtare, Loxha mposhti bashkëkombësen Fatjona Kasapi pas një ndeshjeje të barabartë që u vendos në vazhdime.

Nga ana tjetër, Fatjona Kasapi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer duke mposhtur Laura Kallinger (Austri) dhe Andjela Samardzic (Bosnje e Hercegovinë), por u ndal në gjysmëfinale nga Nika Tomc (Slloveni). Në përballjen për të bronztën, ajo u mposht ngushtë nga Loxha, duke përfunduar në vendin e pestë.

Rezultatet e dy xhudisteve tregojnë formën e mirë të përfaqësueseve të Kosovës në garat ndërkombëtare, me medalje dhe renditje të larta në një turne me konkurrencë të fortë. /Kosovapress/

EMISIONET