Vllaznia konfirmon lajmin e keq, Mala mbyll sezonin në infermieri

Esat Mala është praktikisht jashtë sezonit aktual duke e lënë Vllazninë me një armë më pak në betejën për titullin kampion. Mesfushori i skuadrës shkodrane u dëmtua në sfidën me Partizanin dhe tashmë që operacioni është mbyllur me sukses, mjekët bëjnë një parashikim paraprak të rikthimit të tij në fushën e lojës.
Sipas klubit verior, lojtarit do t'i duhen rreth 8 javë deri në rikthim por kjo kohë është e lodhr me ecurinë e rikuperimit, çka do të thotë se Mala mund të mos rikthehet këtë sezon në fushë e në rastin më të mirë mund të luajë 2 apo 3 ndeshjet e fundit.
Komunikata e Klubit të Futbollit Vllaznia:
"I dëmtuar rëndë në ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit, futbollisti Esat Mala i është nënshtruar ditën e sotme një ndërhyrje kirurgjikale. Mjekët kanë konstatuar një thyerje të klavikulës dhe për këtë arsye, ka qenë e nevojshme ndërhyrja. Ajo është zhvilluar në një nga spitalet e kryeqytetit nga Prof. Dr. Kenan Bayrakci dhe ka konsistuar në riponim me protezë të pjesës së thyer.
Pjestarë të stafit mjekësor të Vllaznisë që kanë qenë pranë lojtarit ditën e sotme, bëjnë të ditur se gjithçka ka shkuar në mënyrën e duhur për të dhe tashmë do t'i duhen 15 ditë mobilizim, reabilitim fizioterapik. Ndërkohë pas 30 ditësh, futbollisti do të fillojë të bëjë një aktivitet të lehtë fizik, kryesisht me ushtrime dhe vrapime. Sipas mjekëve, rikuperimi i plotë do të zgjasë 6-8 javë. KF Vllaznia i uron futbollistit Esat Mala shërim të plotë dhe rikthim sa më të shpejtë në gjirin e ekipit!".

