Vlerësohen kampionët e basketbollit, Ponari: Pa mbështetje financiare nuk ka sport cilësor

Djemtë dhe vajzat e ekipeve kombëtare të basketbollit U16 dhe U18 që këtë vit arritën rezultate të larta në kompeticionet evropiane u pritën dhe vlerësuan nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Presidenti i saj kërkoi më shumë mbështetje për sportin.

Vlerësohen kampionët e basketbollit, Ponari: Pa mbështetje

Një sezon për t`u mbajtur mend për basketbollit shqiptar.

Pas mbylljes me sukses të Ligës unike, pjesëmarrjes me 6 ekipe kombëtare në kompeticionet europiane të moshave, koshi shqiptar arriti të ngrejë lart emrin e Shqipërisë, duke arritur rezultate brilante me Kombëtaren U16 dhe U18, për djem dhe vajza.

Në San Marino, ekipi kombëtar U18 mundi në finale Monacon duke marrë për herë të parë titullin kampion dhe duke i sjellë Shqipërisë medaljen e artë.

Në një mini-shtet tjetër, në Andorra, Kombëtarja U18 e Vajzave, arriti të rrëmbejë medaljen e bronzit në Kampionatin Europian.

Për të kremtuar këto arritje, ditën e sotme, në ambjentet e Akademisë Sportive “Goga Basket”, Federata Shqiptare e Basketbollit dhe Presidenti i saj Avni Ponari organizuan një pritje për të nderuar dhe vlerësuar punën e lojtarëve, trajnerëve dhe stafeve drejtuese.

"Talente dhe djem basketbolli ka sa të duash, Shqipëria ka zemër. Ne duhet ti mbështesim ata që të bëhen basketbollistë të shkëlqyer."

Ponari u ndal edhe tek ndryshimet që duhen bërë në legjislacion, si e vetmja mënyrë për ti dhënë hov sportit.

Sipas z. Ponari, baza është një ligj që rregullon të gjitha palët dhe nxjerr në pah menaxherët e zotë dhe ky është “Ligji për Sponsorizimet”.

"Ligji për sponsorizimin i jep mundësi, hapësirë dhe mbështetje ekipeve të basketbollit, sportit dhe kulturës. Stërvitja gjatë vitit nuk është në nivelin e duhur, mundësitë për tu stërvitur nuk ekzistojnë dhe mundësitë financiare nuk ekzistojnë."

Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit theksoi se pa mbështetje financiare nuk mund të ketë sport cilësor.

EMISIONET