Vjen momenti i përplasjes Amorim-Ruud van Nistelrooy, portugezi shpjegon pse nuk bashkëpunoi me holandezin
Manchester United do të përballet këtë të premte me Leicesterin për Kupën e Anglisë, ndeshje që do të shënojë rikthimin në ‘Old Trafford’ të Ruud Van Nistelrooy-t, ish-trajner i përkohshëm i “Red Devils’ dhe tani udhëheqës i ‘dhelprave’, me të cilin Ruben Amorim u nda sapo mori detyrën e trajnerit.
Trajneri aktual i “Djajve të Kuq” ishte i detyruar të jepte një shpjegim për këtë temë në konferencën për shtypin të rastit.
“Nuk ishte një situatë e vështirë, sepse ishte shumë e qartë për mua, thjesht duhet ta shpjegoja.
Ai është një njeri i futbollit dhe e kupton këtë situatë. Kam ekipin tim dhe stafin tim. Preferoj të punoj me ekipin që më solli këtu“, tha trajneri portugez.
“Mund të mbaja Ruudin, sepse do të ishte diçka e mirë për mua ose diçka popullore për të bërë. Por nuk do ta vendos Ruudin përpara njerëzve të mi, çfarëdo që të ndodhë.
Prandaj, do të më duhej ta vendosja një person si Ruud në fund të hierarkisë së ekipit tim dhe mendoj se kjo nuk është e drejtë për Ruudin“, shpjegoi më tej Amorim.
“Për t’i treguar respekt, isha shumë i qartë me të. I shpjegova se kam ekipin tim dhe do të vazhdoj në të njëjtën mënyrë, se nuk do ta vendos një njeri si Ruud, një legjendë e këtij klubi, në fund të hierarkisë së ekipit.
Prandaj, vendimi ishte i qartë, shumë i thjeshtë për t'u shpjeguar dhe ai e pranoi si një njeri me klas, siç është.”
Sa i përket faktit se si Van Nistelrooy ashtu edhe Ten Hag kanë pasur rezultate më të mira, ai ishte i qartë:
“Ishin më të mirë se unë në stërvitjen e këtij ekipi. Është shumë e vështirë, sepse jam një njeri shumë krenar, por e shoh këtë me normalitet. Nuk është e çuditshme.
Ai e njeh ekipin, ka punuar me ekipin. Kam marrë disa vendime që janë shumë të vështira, që ndonjëherë krijojnë probleme, fërkime në ekip.“