Vinicius: Ancelotti e ka Brazilin në duar, na jep qetësi, besim dhe dëshirë për ta fituar Botërorin

Vinicius: Ancelotti e ka Brazilin në duar, na jep qetësi, besim dhe

Pas barazimit pa gola me Rayo Vallecano-n dhe nisjes drejt Londrës për t’u bashkuar me kombëtaren braziliane, Vinicius Junior ka folur me tone shumë pozitive për trajnerin e tij te Brazili, Carlo Ancelotti.

Në një intervistë për kanalet zyrtare të Federatës Braziliane të Futbollit, ‘ylli’ i Real Madridit tha se “Seleção” është “në duart më të mira të mundshme”.

“Me Ancelottin po bëjmë përparim të madh, po krijojmë një model të qartë loje,” u shpreh Vinicius.

“Është shumë e rëndësishme të gjejmë këtë identitet para Kupës së Botës, sepse kanë mbetur pak ndeshje.

Të gjithë duhet të futemi në atmosferën e turneut dhe të kuptojmë se kjo është mundësia jonë e artë.”

Sulmuesi brazilian theksoi se sekreti i suksesit të Ancelotti-t qëndron në mënyrën si ai u jep besim lojtarëve:

“Ancelotti kërkon të nxjerrë më të mirën nga secili prej nesh, në rolin ku ndihemi më të lirë dhe më të fortë.

Ai ruan idetë që ka pasur gjithmonë në karrierë dhe gjithmonë përpiqet të na japë siguri.”

Vinicius shtoi se atmosfera në kombëtare është e mrekullueshme nën drejtimin e teknikut italian:

“Të gjithë e vlerësojnë dhe e duan. Ai thotë gjithmonë se dëshiron të bëjë popullin brazilian të lumtur, të rikthejë futbollin që kemi pasur gjithmonë dhe të fitojmë Kupën e Botës, ky është objektivi ynë më i madh.

Ai na jep qetësi dhe e bën punën më të lehtë. Tani duhet të fitojmë që të shpërblejmë gjithë këtë punë.”

EMISIONET