VIDEO/ Mirlind Daku u kërkon falje tifozëve: Afekti i lojës e bën të vetën! Shqipëri, dashni pa kufi

Mirlind Daku është vënë sot nën shënjestrën e Federatës Maqedonase të Futbollit!
Gjithçka lidhet me një episod pas ndeshjes me Kroacinë, teksa sulmuesi u afrua tek tifozët e kombëtares pas porte dhe me një megafon në portë iu bashkua koreve të tyre kundër Maqedonisë.
Video që u bë virale në rrjetet sociale, bëri që Federata e Maqedonisë të reagonte menjëherë dhe për më tepër të kërkojë masë ndëshkimore për sulmuesin kuqezi.
Dhe mbrëmjen sotme, ka reaguar vetë Daku, i cili përmes rrjeteve sociale, u kërkon falje tifozëve.
"Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024.
Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona.
Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar.
Me respekt,
Mirlind Daku", thuhet ne mesazhin e Mirlind Dakut.


