VIDEO/ “Magji” e Lionel Messit dhe Inter Miami fiton ndaj Portos

Kampionati Botëror i Klubeve, i cili po zhvillohet në SHBA, po dhuron spektakël për futbolldashësit.
Inter Miami ka regjistruar një fitore të rëndësishme ndaj FC Portos në kuadër fazës së grupeve të Kupës së Botës për Klube, duke triumfuar me rezultat 2-1 falë një supergoli nga argjentinasi Lionel Messi në pjesën e dytë të ndeshjes.
Skuadra portugeze ishte e para që gjeti rrugën e rrjetës. Në minutën e 18-të, Samu Aggehowa realizoi saktë nga pika e bardhë, duke e kaluar Porton në epërsi me një goditje të fuqishme – 1-0.
Barazimi për Inter Miamin erdhi menjëherë pas pushimit. Marcelo Allende nisi aksionin, pasoi në krahun e djathtë te Marcelo Weigandt, i cili asistoi bukur për Telasco Segovian. Ky i fundit kontrolloi topin dhe me një goditje të saktë barazoi rezultatin në 1-1.
Goli vendimtar u shënua në minutën e 54-të. Lionel Messi, nga një goditje dënimi, lëshoi një perlë që la të shtangur portierin e Portos, duke i dhënë fitoren ekipit të tij dhe duke shënuar golin e 50-të me fanellën e Inter Miamit.


