VIDEO/ Derbi i Anglisë i rikthen buzëqeshjen Man. United, Liverpool në krizë

Çfarë derbi në Angli! 90 minuta që nxjerrin nga fundi Manchester United dhe aty zhysin rivalët e përjetshëm të Liverpool. Java e tretë e Premier League riktheu qetësinë në kampin e “Djajve të kuq” që mposhtën 2-1 në “Old Trafford” skuadrën e Jurgen Klopp, ende pa një fitore këtë sezon dhe për më tepër pa një skuadër që mund të bindë në lojë.
Ishte Jadon Sancho që trazoi mbrojtjen e Liverpool fillimisht duke vendosur në vështirësi Van Dijk, rrallëherë në vështirësi si në këtë sfidë, ndërsa mungesat e shumta në mesfushë dhe sulm e kushtëzuan jo pak skuadrën nënkampione të Anglisë dhe Europës.
Salah i izoluar në sulm nuk arriti të bënte shumë, përveç një goli të parëndësishëm kur Rashofrd kishte shënuar edhe të dytin për Manchester United. Pak minuta për Cristiano Ronaldon që mori një shuplakë tjetër nga Ten Hag i cili nuk e preferoi titullar portugezin ndërsa për herë të parë uli në stol kapizenin Maguire duke i dhënë minuta të plota francezit Varane.
3 pikët e para të Manchester United këtë sezon vijnë në derbin e Anglisë ndërsa Liverpool duhet të riniset fundjavën tjetër nga zona e ftohtë me vetëm 2 pikë në 3 javët e para.

