Sulmuesi i ‘ngel në derë’ Barcelonës, mundësitë e vetme ku mund të transferohet

Ansu Fati po i shteron mundësitë për të gjetur një rrugëdalje që do ta ndihmonte të ndihej përsëri si futbollist.
Kampionatet kryesore evropiane nuk janë më një opsion, pasi afati dimëror i merkatos u mbyll më 3 shkurt, dhe sulmuesi i Barcelonës nuk mund të shpresojë më as te klubet saudite (merkatoja përfundoi më 31 janar) apo ato turke, ku afati u mbyll mbrëmë.
Pronari aktual i fanellës me numrin 10 te Barcelona kishte shpresuar te Besiktas-i ose Fenerbahçe, të cilat kishin kërkuar informacion për të, por u përballën me refuzimin e vetë Ansu Fatit, i cili nuk ishte i prirur të transferohej në Stamboll.
Pasi kjo mundësi u përjashtua, mbeten ende opsione si një kalim në Zvicër, Kroaci ose Rusi, ose destinacione më "ekzotike" si Kina, Brazili dhe SHBA.
Hansi Flick ka shpjeguar se ka folur me Ansu Fatin dhe ka qenë shumë i sinqertë me të, duke i treguar se nuk do të kishte shumë mundësi për të luajtur dhe se do të ishte më mirë për të të largohej.
Megjithatë, talenti i lindur në vitin 2002 ka zgjedhur të qëndrojë, pavarësisht situatës së tij të vështirë. Në këtë sezon, ai ka luajtur vetëm 186 minuta.
Ku mund të transferohet Ansu Fati?
Duke parë opsionet e mbetura, mundësia më e madhe do të ishte një kalim në MLS (SHBA) ose në Brazil, ku merkatoja është ende e hapur. Rusia dhe Zvicra gjithashtu mbeten si alternativa për një transferim emergjent. Megjithatë, gjithçka do të varet nga vendimi i vetë lojtarit dhe klubeve të interesuara.

