Tirana triumfon ndaj Egnatias në Rrogozhinë dhe arrin vendin e tretë. Reagon tekniku Tetova: Mbyllje e keqe e vitit

Më në fund, pas katër ndeshjesh, Tirana arrin të dalë te fitorja. Dhe këtë e bën kundër kryesuesve të Egnatias, për më tepër në transfertë, duke u hakmarrë në mënyrën më të mirë të mundshme edhe për humbjen e fazës së parë.
Bardheblutë fituan 5-0 në Rrogozhinë dhe barazuar më pikë Vllazninë e vendit të tretë. Një mbyllje e mirë e vitit për kryeqytetasit, ndërsa rrogozhinasit, pasi humbën finalen e Superkupës, mposhten edhe në kampionat, e treta për këtë sezon, që të tria herët në fushën e vet.
Pjesa e parë ishte e barabartë, por diferencën e bëri goli i Haxhiut në minutën e 25-të. Në të dytën, ndeshja merr zhvillim tjetër, kur Aleksi në minutën e 67-të ndëshkohet me karton të kuq dhe lë Egnatian me 10 vetë.
Dhe vetëm 1 minutë më pas, pas një gabimi të mbrojtjes rrogozhinase, Latifi shënon edhe golin e dytë. Vendasit marrin golin e nokautit në minutën e 74-t, kur Haxhiu del i vetëm përballë portierit dhe shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Tiranën.
Por nuk mbaron këtu makthi për Egnatian, teksa më pas miqtë shënojnë edhe dy gola të tjetër, fillimisht me Abazajn dhe më pas me Latifin, i dyti për të në këtë sfidë. Mbyllet 5-0, me Tiranën që merr fitoren më të thellë sezonale.
Reagon Tetova

Trajneri i Egnatias nuk ka fshehur zhgënjimin pas humbjes 5-0 nga Tirana.
“Normalisht vijmë nga një gjysmë sezoni i mirë, por mbyllje e keqe që dhemb. Deri në momentin që Aleksi doli me të kuq, pavarësisht disavantazhin kishim mundësitë tona. Por pas kartonit të kuq kishte tolerime të çuditshme. Pas 2-0 i kërkova ekipit të qëndronte në mbrojtje. Por do ta shoh dhe ta analizoj më mirë. Unë e kam theksuar gjithmonë që të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Kishim mungesa, por kjo nuk do të thotë që lojtarët që hynë të mos kryejnë detyrat. Nuk dua të përmend emra kush e kryen apo jo detyrën. Por për lojtarët që duan të prekin fushën duhet më shumë sakrificë për të fituar vendin e titullarit.
-Largimi i Mustës, Paulaskas?
“Për Paulaskas ka ofertë, por nuk di më shumë. Për lojtarët e tjerë… nuk ka largime. Presidenti më tha ta kthejmë në forcë këtë dhimbje.”
“Paulaskas ka hyrë sot i dëmtuar në fushë. Nuk kishim alternativë tjetër në majë të sulmit. U munduam të ndryshonim modulin, por nuk rezultoi siç duhet. Deri në momentin e kartonit të kuq ishim mirë, por është e kotë të flasësh për ndeshjen pasi 5 gola janë shumë.”
-Nënvlerësim nga ana e Egnatias apo nxitim për të shkuar në pushime?
“As që bëhet fjalë. Çunat janë në stërvitje deri më datë 28. Kjo bie poshtë pasi skuadra ishte shumë e motivuar.”
“Saktësisht është ndërrimi i modulit që të kishim 4-2-3-1 efektiv. Duhet të jesh i zoti me krahët të shkosh në thellësi. Kjo na prishi disi sistemin. Më mirë një ndeshje e keqe sot dhe gola të pësuar, sesa më vonë 1-0 apo 2-0. E ndryshuam sistemin. Pas 2-0 i kërkova ekipit të futet në mbrojtje. Nuk është se ndryshova sistemin, por kërkova që të ngjitej Mëllugja ose Aleksi kur të zbriste një lojtar i Tiranës, pasi Spahiu nuk është një mbulues i mirë. Në momentin që humbëm topin, nuk ishim agresivë për ta rimarrë atë.”
-Situata e Aleksit?
“Lojtari shkon për tek topi, kap këmbën e kundërshtarit. Nuk ka asgjë të keqe, rëndësi ka si reagon skuadra me 10 lojtarë në fushë.”





