Tirana kalon edhe Teutën. Partizani asfalton Kukësin

Tirana vijon marshimin drejt titullit. Java e 23-të konfirmon bardheblutë të vetëm dhe të pashqetësuar në krye të renditjes teksa “viktima” e radhës është Teuta. Në “Elbasan Arena” ishte një ndeshje që foli më shumë për skuadrën e Shehit që në fund me meritë arriti të merrte 3 pikë me rezultatin 2-0.
Sfida nisi nën ritmin e lartë të Tiranës që gjeti dhe rrjetën në minutën e 17’ me Taulant Seferin që godet nga distance dhe topi që i rrëshqet nga duart portierit Dema.
Në pjesën e dytë janë bardheblutë që japin sërish shkëndija teksa Teuta është e vakët dhe mendon sërish Seferi për të mbyllur ndeshjen me një gol më i bukur se i pari. Bomberi dyfishon në 60’ dhe praktikisht mbyll ndeshjen edhe pse Teuta tentoi disa herë.
Në “Air Albania” ndërkohë u luajt dueli tjetër i rëndësishëm, Partizani-Kukësi që u mbyll me një fitore të thellë 5-0 për të kuqtë.
Skuadra e Mehmetit e nisi vrullshëm takimin dhe në 33’ merr një penallti për një kontakt në zone mes Hilës dhe Skukës. Rasti i dyshimtë por arbitri në VAR e konfirmon teksa Kallaku shënon. Vetëm pak minuta më pas, Skuka arrin të dyfishojë rezultatin në 41’.
Me një rezultat të tillë, Partizani luan më qetë edhe në pjesën e dytë teksa shënon menjëherë sapo nis kjo pjesë me me Junior që realizon një gol shumë të bukur.
3-0 dhe Kukësi e ka të vështirë të reagojë edhe pse gjen golin në 56 me Lulaj por që anulohet më pas nga VAR.
Partizani nuk ndalet gjithsesi dhe arrin të shënojë dy herë të tjera duke i dhënë një goditje të madhe Kukësit teksa realizuan Lika në 90’ dhe Marku në 91’. 5-0 dhe Kukësi është në krizë rezultatesh teksa Partizani po i afrohet Europës.







/Ora News/

