Thiago Motta, pesha që rëndon Juven! Trajneri i larguar, ende në listë pagesash

Thiago Motta mbetet ende një çështje e hapur për Juventusin. Pavarësisht largimit të tij në mars, trajneri italo-brazilian vazhdon të jetë në listën e pagave të klubit deri në vitin 2027, ndërsa vijon të hedhë poshtë ofertat që mund t’i hapnin derën e një aventure të re. Ndërkohë, emri i tij vazhdon të qarkullojë në Europë.

Thiago Motta, pesha që rëndon Juven! Trajneri i larguar, ende në

Juventusi nuk është ende i lirë nga barra financiare e Thiago Mottës. Edhe pse i larguar në muajin mars, trajneri italo-brazilian vazhdon të figurojë në bilancet ekonomike të klubit si një kontratë aktive deri në 30 qershor 2027.

Pagesa e tij arrin rreth 5.5 milionë euro bruto në sezon, ndërsa duke përfshirë edhe stafin e tij teknik, shifra totale rritet në rreth 13.5 milionë euro bruto.

Një kosto e konsiderueshme për një trajner që aktualisht nuk është më pjesë e projektit sportiv të bardhezinjve.

Motta, për momentin, nuk ka ndërmend të rikthehet menjëherë në pankinë. Sipas Tuttosport, ai ka vendosur të qëndrojë pushim deri në fund të sezonit, duke pritur ofertën e duhur dhe duke shmangur lëvizjet e ngutshme.

Pikërisht për këtë arsye i ka kthyer një tjetër refuzim Spartakut të Moskës, klub që po kërkon një trajner të ri pas dorëheqjes së Dejan Stankovic. Rusët ishin gati t’i ofronin një projekt afatmesëm, por Motta preferoi të mos marrë përsipër një sfidë jashtë planeve të tij aktuale.

Emri i tij ka qarkulluar edhe në disa pista të tjera evropiane. Fillimisht u përfol për një kalim te Bayer Leverkusen, më pas Monaco dhe Real Sociedad, ndërsa së fundmi është lidhur edhe me Atalantën, që kërkon pasuesin e Ivan Juric – vetë ky i fundit tashmë i synuar nga Spartaku. Megjithatë, deri tani asnjë nga këto pista nuk është konkretizuar.

Momentalisht, trajneri mbetet në pritje, ndërsa Juventusit i duhet të përballojë edhe për disa muaj kostot e një largimi të papërfunduar. Spekulimet vazhdojnë, interesimi për të nuk mungon, por Motta duket i vendosur të hyjë në sezonin e ardhshëm me një projekt të qëndrueshëm dhe me kushtet që ai vetë i konsideron ideale.

EMISIONET